E Diel, 1 Nëntor 2026

Dështimi me liberalizimin e vizave, Berisha: Do lejojmë martesat gayNga Tema Pak ditë pasi vendit tonë iu hoq e drejta për të lëvizur pa viza në Bashkimin Evropian, kryeministri, Sali Berisha, mblodhi Komitetin Ndërministror për Integrimin

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Dështimi me liberalizimin e vizave, Berisha: Do lejojmë martesat gayNga Tema

Pak ditë pasi vendit tonë iu hoq e drejta për të lëvizur pa viza në Bashkimin Evropian, kryeministri, Sali Berisha, mblodhi Komitetin Ndërministror për Integrimin për të diskutuar për këtë çështje. Edhe në këtë mbledhje kryeministri, Sali Berisha, nuk ngurroi të përdorte frazat e tij të përhershme që nuk thonë asgjë në lidhje me hapat që do ndërmerren për heqjen e vizave

“Jemi banorët më të lashtë të kontinentit, ndaj duhet të lëvizim pa viza”

Në fillim të fjalës së tij kryeministri tha se shqiptarët duhet ta fitojnë heqjen e vizave, për shkak se janë banorët më të lashtë të kontinentit. “Problemi i heqjes së vizave është një problem kryesor për qytetarët shqiptarë. Ky është një proces, të cilin ata, si banorët më të lashtë të kontinentit, duhet ta fitojnë sa më shpejt të jetë e mundur. Predispozita është reale nga Komisioni Evropian dhe vendet anëtare. Kërkesat që shtrohen janë të drejta, të arsyeshme dhe ne na takon t’i plotësojmë ato me seriozitetin më të madh. Problemi i heqjes së vizave ka të bëjë me sigurinë dhe garancitë që ti i jep vendeve anëtare të Bashkimit Evropian; se ti nuk eksporton krim, por siguri; se me lëvizjen e lirë të qytetarëve të tu nuk cenon sigurinë e qytetarëve të këtyre vendeve; se ti je një vend që kontrollon me vendosmërinë më të madhe krimin dhe kriminalitetin, si dhe respekton standardet e parashikuara për lëvizjen e lirë”, - tha Berisha.

“Përfitimi më i madh nga integrimi është lëvizja e lirë”

Kryeministri pranoi dje se procesi i integrimit përfitimin më të madh e ka te lëvizja e lirë. “Në vlerësimin tim, përfitimi më i madh në procesin e integrimit është liberalizimi i vizave, ndërsa të tjerat janë për t’u ndërtuar dhe do të ndërtohen, sepse ai është një projekt i madh dhe ne do të punojmë me përkushtim të jashtëzakonshëm për ndërtimin e Shqipërisë evropiane. Duhet të jemi realistë se ky proces kërkon punë të madhe dhe reforma të thella, të cilat ne po i bëjmë”, - tha Berisha.

“Po parakalojmë gjashtë vende anëtare të BE”

Ashtu siç është shprehur disa herë në fushatë, edhe dje kryeministri, Sali Berisha, tha se vendi ynë është përpara Rumanisë dhe Bullgarisë për sa u përket pagave, megjithatë ata janë në BE. Në këtë mënyrë Berisha la të kuptohet se ne jemi një vend më i pasur dhe së shpejti parakalojmë gjashtë vende të BE. Shqipëria është vendi më i varfër i Evropës sipas të gjitha vlerësimeve të institucioneve ndërkombëtare. “Nuk ka shqiptar që nuk e di se integrimi i plotë nuk do të thotë pasurim i shpejtë. Bullgarët dhe rumunët janë me rroga mesatare nën rrogat e shqiptarëve. Ne duhet të jemi të përgatitur, sepse kjo është një garë e fortë dhe në këtë garë ne duhet të bëjmë përpjekjet për të arritur sa më shumë vendet e Bashkimit Evropian. Ne e kemi fiksuar që do të kalojmë gjashtë nga vendet e Bashkimit Evropian dhe do t’i parakalojmë në shumë aspekte. Lëvizja e lirë është arritja më e madhe për qytetarët shqiptarë në procesin e integrimit evropian”, - tha Berisha.

Martesat mes homoseksualëve, kusht për lëvizjen e lirë

Në përfundim të mbledhjes, Berisha doli pikërisht te disa kushte konkrete që duhen realizuar për të arritur te liberalizimi i vizave. Një prej tyre duket se është dhe martesa e homoseksualëve. “Kam dhe dy probleme të tjera që dua t’i sjell në vëmendjen tuaj. Së pari, kemi një vendim të Gjykatës së Lartë të vitit 2007, vendim i cili ndërhyn duke kufizuar sekuestrimin dhe konfiskimin e produkteve të veprës penale për krimin e organizuar. Ky vendim do të kundërshtohet me ligj. Ligji të bëhet urgjentisht dhe t’i përmbahemi modelit britanik. Një ligj tjetër është shumë i rëndësishëm kundër diskriminimit. Ky ligj është ofruar nga shoqëria civile dhe ka të bëjë me të drejtat e pakicave të qëndrimeve të caktuara. Këtë ligj e ka përgatitur shoqëria civile. Duhet të shihet se cilat do të jenë qëndrimet dhe sa do të mund të favorizohen ato. Unë mendoj se pavarësisht nga debati që mund të ngjallë ky ligj, diskriminimi është i papranueshëm. Ky ligj ka të bëjë me të drejtat e martesave brenda gjinisë dhe probleme të tjera të kësaj natyre. Kjo synon thjesht vendosjen mbi baza ligjore dhe jo diskriminuese të një të drejte tashmë tërësisht të ligjëruar në vendet evropiane. Ky ligj është në parlament dhe duhet të shqyrtohet me seriozitetin më të madh, pasi është një standard që gjykoj se zhduk një lloj diskriminimi. Këtu nuk ka një qëndrim armiqësor ndaj këtyre pakicave”, - tha Berisha.

Skema e Berishës, më shumë për të lëshuar ndonjë thumbim politik për kundërshtarin

Shqipëria mund të bëhet kështu i vetmi vend në rajon që lejon martesat mes homoseksualëve dhe ndër të paktat vende në Evropë që e lejon një gjë të tillë. Akoma nuk është saktësuar, nëse bëhet fjalë për martesa apo bashkimi civile, por duket se Berisha për të kënaqur kërkesat e Brukselit dhe për të treguar sa evropianë jemi, do lejojë martesat. Berisha tha se nuk ka një qëndrim armiqësor ndaj këtyre pakicave, pa e mbështetur në ndonjë argument këtë, por një anketë e vitit 2007 tregon se Shqipëria është ndër vendet që mbështet më pak martesën mes çifteve të të njëjtit seks. Disa herë ka pasur akuza nga organizata ndërkombëtare për keqtrajtime të homoseksualëve në vendin tonë, por ajo çka është më e rënda është diskriminimi që u bën shoqëria. Edhe vetë kryeministri, Sali Berisha, u duk qartë dje se më shumë po kujdesej që të lëshonte ndonjë batutë me sfond politik, kur shpalli këtë nismë, sesa të kishte një qëndrim serioz për këtë çështje. Duke nënkuptuar kundërshtarin e tij, ai tha se ai lejon simbolet homoseksuale, por nuk ka kurorëzuar asnjë martesë të tillë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›