Refugjatë-deputetët Nga Xhovani ShytiZgjedhjet si proces pothuajse kanë përfunduar dhe në analizën e përgjithshme të tyre, krahas shumë problematikave të tjera, të ardhura si pasojë e aplikimit për të parën herë të një Kodi të ri Zgjedhor, bie në sy
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Refugjatë-deputetët Nga Xhovani ShytiZgjedhjet si proces pothuajse kanë përfunduar dhe në analizën e përgjithshme të tyre, krahas shumë problematikave të tjera, të ardhura si pasojë e aplikimit për të parën herë të një Kodi të ri Zgjedhor, bie në sy edhe sundimi i refugjatë-deputetëve, që do të thotë dhënie votëbesimi për individë që nuk kanë asnjë lidhje me zonat zgjedhore, nga ku dalin deputetë, që mandatin e kanë dhuratë nga Njëshat e partive dhe shërben për të ngritur mirëqenien e tyre personale në nivel të lartë. Një fenomen ky jo fare i panjohur në historikun e zgjedhjeve postkomuniste shqiptare, por që këtë herë mori përmasa të shqueshme, ngaqë e drejta absolute e hartimit të listave të kandidatëve iu la plotësisht në dorë krerëve të partive. Dhe çfarë prodhoi kjo “risi”? Asgjë më shumë sesa faktin sipas të cilit listat e kandidatë-deputetëve shërbyen më shumë si lista menysh që kënaqnin orekset e krahëve të djathtë dhe rrethit të preferuar të Njëshave të partive dhe jo si lista konkurrentësh dinjitozë. Në kuptimin që të qenësishmit ndër to të përputhnin si dëshirat e shumicës votuese, si ato të shumicës militante, të bazës apo të nevojave që ka situata parlamentare dhe ajo e qeverisjes së vendit së bashku. Madje aplikimi i kësaj “skeme të re” zgjedhore nuk arriti të flakë tej indiferencën votuese të atij kontingjenti që vazhdoi të jetë pothuajse në të njëjtat shifra si edhe më parë dhe kjo nga pakënaqësia e mosgjetjes së vetes te refugjatë-kandidatët. Po të lexosh listat e kandidatë-deputetëve, të bie në sy prania e jo pak personave që nuk kanë asnjë lidhje me zonat zgjedhore, në të cilat kandiduan. Midis ca tiranasve konkurrentë, p.sh., në lista-kandidimet e 32 zonave të kryeqytetit vëren persona të tillë që nuk kanë asnjë lidhje tjetër me Tiranën përveç pasaportizimit, ndërkohë që jo pak tiranas të lidhur gjenetikisht e shpirtërisht me të janë vënë të kandidojnë nëpër zona zgjedhore si Kuçova, Berati, Fieri, Durrësi, Elbasani, Korça, Vlora, Kavaja, Lezha, Gjirokastra etj., me votuesit e të cilave nuk i lidh asgjë tjetër përveç dëshirës së Njëshit për të mos i fshirë nga lista. Ndër këta ndeshen edhe ata që refugjat-kandidimin e kanë nisur që në vitin 1992 dhe e vazhdojnë ende me plot sukses, duke shmangur konkurrimin elektoral nëpër ato zona, me të cilat janë të lidhur dhe i njohin mirë. Ndërkohë, mund të konstatohet dhimbshëm se për hatër të kësaj dëshire e vullneti të Njëshit janë lënë jashtë listave apo janë vendosur nga fundi i tyre kandidatë që për hatër të lidhjeve me këto zona zgjedhore e meritonin qenësinë ndër to. Madje, jo vetëm kaq, por fitorja, futja e tyre në parlament do t’i ndihte shumë më shumë zgjedhësve të zonave sesa prania e deputetë-refugjatëve të palidhur kurrkund me to.
Nëse rastet do të ishin sporadike, nuk do t’ia vlente të trajtohej një çështje e tillë, por prezenca e këtij fenomeni ka qenë aq shumë e shprehur në hartimin e listave të këtyre votimeve, sa është kthyer në rrezik për rikthimin e votës demokratike në votë klanore dhe mbajtjen larg votimit të grup-indiferentëve. Kandidatë-deputetët-refugjatë të preferuar të kryetarëve i gjen me shumicë në listat e dy partive të mëdha, kurse më pak apo aspak i shprehur është deputet-refugjatizmi te partitë e vogla, që në tërësinë e tyre kanë luajtur me kontingjentin e intelektualëve vendas. Në këtë krahasueshmëri nuk duhet vlerësuar fakti që këto parti të vogla nuk prodhuan mandate deputetësh, por ajo që duhet të ishte prezente për listat e kandidatëve të partive të mëdha, në të cilat malli i vendit, ose ishte i pakët, ose mungonte fare. Sepse, nëse konkurruesit e partive të voglat nuk arritën të fitojnë, kjo më tepër i dedikohet Kodit të ri Zgjedhor dhe pabesisë së dy të mëdhenjve, interesat e të cilëve synonin pikërisht lënien pastër të shesh-betejës politike. Pra, në këtë këndvështrim, duhet vlerësuar aspekti përjashtues i të vegjëlve, që e bën më serioze politikën e derisotme të mizëri-partive që nuk prodhojnë politikë, por jo pjesa që hartimin e listave ia lë në dorë kryetarëve të partive, dhe hartimi i tyre për të kënaqur interesat e Njëshave e jo propozimet e bazës. Sepse, nga burime të brendshme të PS, por edhe PD, mësohet se komunikimi i Njëshave me njësitë e bazës është zhvilluar sipas formulës: “Ju propozoni sa të doni kandidatë-deputetë, në fund vendosim ne”; një formulë kjo, sikurse doli më pas, e rekomanduar prej Njëshave, më tepër për t’u bërë qejfin drejtuesve të celulave vendore të partive se sa për t’u marrë parasysh prej tyre. “Në fund ne mbetëm të befasuar, pasi askënd nga ata që ne propozuam nuk e pamë të rreshtuar në listat përfundimtare… Edhe atje ku propozimet e bazës ishin marrë parasysh, kandidatët qenë vendosur nga fundi i listës, më tepër për të plotësuar numrin se sa për të fituar”, - pohojnë burime të degëve lokale të të dyja partive të mëdha, duke e vlerësuar fenomenin e deputet-refugjatizmit si të dëmshëm. Jo vetëm për faktin se duke dashur të sundojnë bazën e partisë me të deleguar nga qendra Njëshat monopolizojnë politikë-bërjen dhe zhvillojnë drejtimin klanor të partisë, por me këtë mënyrë operimi vritet përfaqësimi i intelektualizmit vendor, aq i domosdoshëm për të sjellë ndryshimin në mënyrën e qeverisjes vendore, sedrën për ta detyruar pushtetin vendor të mos flejë gjumë, por të lëvizë për të prodhuar zhvillimin. Përvoja ka treguar se në këtë pikë një deputet i lidhur trupërisht, gjenetikisht e shpirtërisht me zonën zgjedhore është shumë e shumë herë më produktiv sesa një refugjat-deputet, të cilin me atë zonë nuk e lidh asgjë tjetër përveç mandatit të marrë si detyrim shpirtëror që votuesit i kanë partisë, detyrim ky i shfrytëzuar në mënyrë spekulative nga Njëshat e që jo vetëm nuk prodhon standard të përputhshëm me atë çka ofron sistemi i demokracisë dhe i konkurrencës postkomuniste, por e ngre Njëshin në piedestalin që e vinte atë sistemi komunist, ku për gjithçka vendoste Njëshi, dhe firma e Njëshit kërkonte padiskutueshmëri absolute zbatimi. Në demokraci roli i Njëshit është thjesht e vetëm menaxherial. Ai ka në themel hartimin e politikave që e fuqizojnë e i ngrenë autoritetin partisë, që ia shtojnë radhët dhe e masivizojnë më shumë, duke thithur votues nga kontingjentet e indiferentëve, të atyre që realisht vazhduan të qëndrojnë në pakënaqësinë e tyre përtej të majtës dhe të djathtës pikërisht, nga uzurpimi i listave, edhe këtë herë prej refugjatë-kandidatë-deputetëve.