E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëshmia: Rruga për në zyrën e Pangos është e hapur për vajzat e bukura

Nga Tema/TCH

Ditën e djeshme janë transmetuar pjesë nga video-skandal e ish-ministrit të Kulturës, Ylli Pango, që rrëzojnë pretendimet e tij në emisionin e Blendi Fevziut në TV “Klan” se ai ka rënë pre e një provokimi nga një e njohura e tij e vjetër.

Duke u munduar që ta paraqesë si një provokim nga një mikesha e tij, Pango ka mbërritur në studion e emisionit “Opinion” për t’iu përgjigjur akuzave që janë ngritur në drejtim të tij. Pasi ka përmendur dy herë shkarazi një ndjesë pse ka rënë pre e provokimeve, ish-ministri i Kulturës ka deklaruar se gjithçka ka qenë e montuar.

Sipas tij është normale që një vajzë të zhvishet për të bërë një ekspoze për të fituar vendin e punës.

Pretendimet

Sipas Pangos, vajza që i ka mbërritur në shtëpi ka qenë një e njohur e vjetër.

“Pas kësaj unë kam ritakuar të njohurën time të vjetër, e cila është futur në rolin e gazetares investigative. Ajo që ka dalë në “Top Channel” s’është ajo, është një tjetër. Është e dëshmuar që unë e njoh prej vitesh”, - tha Pango. Ai deklaroi se e ka njohur këtë vajzë vite më parë gjatë një emisioni televiziv.

“Vite më përpara në studio dhe pastaj personalisht. Padyshim që e njoh. Atë ditë i thashë hajde nesër në orën 10”, - tha Pango.

Por pamjet që ka transmetuar dje “Fiks Fare” kanë provuar të kundërtën. Sipas tyre, Pango nuk shfaq asnjë shenjë të njohuri ndaj kësaj vajze, e cila i mbërrin në dyert e ministrisë. Por në emisionin e Fevziut, Pango ka mohuar që vajza të ketë shkuar në ministri.

“Nuk erdhi në ministri. I ka rënë telefonit, këto janë ato telefonata që nuk i zbardh “Top Channel” dhe më ka kërkuar kurdo, sido që të ishte puna. I thashë do takohemi pasdite në ministri. Nuk erdhi pasdite. Pasdite në ministri ka njerëz deri vonë. Nuk ka ardhur në ministri dhe unë kam shkuar në shtëpi. Kur kam shkuar në shtëpi, jam marrë në telefon nga zonjusha dhe më tha: “A të vij unë?” I thashë, jam shumë i lodhur dhe nuk jam më në ministri, jam në shtëpi. Ajo u tregua e gatshme të vij në shtëpi”, - tha Pango.

Pamjet e pa-transmetuara më parë nga “Fiks Fare” tregojnë vajzën që ka shkuar në ministri dhe që ka tentuar ta takojë aty ministri, edhe pse, siç dihet, do e kishte të vështirë.

Një nga punonjësit e ministrisë në videon e regjistruar shfaq habinë se si nuk është lejuar që të hyjë në ministri kjo vajzë, pasi, sipas tij, rruga për në zyrën e Pangos është e hapur gjithmonë për vajzat e bukura.

Më pas një tjetër shton se ai ka një zyrë fantastike.

Ndërhyrja

Ish-ministri i Kulturës, Ylli Pango, ka deklaruar se për njërën nga vajzat, drejtuesit e emisionit “Fiks Fare” kanë hyrë mik për ta punësuar. “Kjo vajzë, e cila ka kërkuar punë, ka ardhur me ndërhyrjen e Filip Çakulit, i cili njihet me mua prej 30 vjetësh. Me këtë zotëri që ka paturpësinë të shkatërrojë jetën time, m’u kërkua si nder, e mora parasysh. Kur pashë që notat ishin të mira, i ofrova punë, madje edhe punë plotësuese, që u transmetua sot. Nuk ka pasur asnjë ndërhyrje, siç thotë gazetarja e “Top Channel”, që ka qarë”, - tha Pango.

Por, drejtuesit e “Fiks Fare” kanë transmetuar dhe pamjet të emisionit ditën e parë, kur vetë ata deklarojnë se vajza që përmbush kushtet për punë ka shkuar me ndërhyrjen e tyre për të kërkuar punë te Pango. Sipas tyre, është e tmerrshme kur Pango tenton të bëjë gjëra të tilla me rekomandime personale të njerëzve.

Veshja

Ministri ka pretenduar gjatë intervistës në TV “Klan” se ai nuk i ka kërkuar vajzës që të bëjë seks me të.

Por e kundërta tregohet në video. Gjatë gjithë kohës Pango kërkon të bëjë seks me këtë vajzë, pasi fillimisht i kërkon të zhvishet e më pas tenton ta zhveshë atë, duke ngelur një përdhunim në tentativë.

“Kam njohje të vjetër me të. Më ka kërkuar punë. Këtë njeri e kam ndihmuar. Mora përsipër ta ndihmoj. Hap derën dhe shoh një vajzë krejtësisht të transformuar, me një dekolte të ekzagjeruar. Ishte e njëjta vajzë. U ngjitëm lart dhe fillojmë bisedën për peshën”, - tha Pango.

Drejtuesit e “Fiks Fare” kanë shfaqur një pjesë të videos, ku tregohet vajza që zbret nga makina, e veshur me xhup dhe pantallona.

Gjithashtu, në videon e transmetuar duket qartë që vajza ka qenë e veshur, kur Pango i thotë asaj: “Hiq xhupin”.

“I kam thënë jo nudo, me rroba banje. Këtu nuk ka kërkesë për seks. Pas kësaj është kërkuar pjesa e sipërme dhe kjo pjesë është shkëputur, është dhënë shumë herë, me këtë pjesë është bërë xhiro botërore, me këtë pjesë unë dhe familja ime jemi të traumatizuar, ndërkohë që kjo gjë i ka ndodhur shumë njerëzve”, - tha Pango.

Ish-ministri ka pranuar se ka rënë pre e provokimeve, kur ka tentuar ta zhveshë vetë vajzën.

“Ky është ai momenti, për të cilin unë pranoj që rashë pre e provokimit e pamjes së saj dhe faktit që një femër vjen kaq natën vonë që edhe mundet të shikohet, por thjesht të shikohet. Pastaj u la”, - tha Pango.

Pango mohohet nga avokati i vet

Ish-ministri i Kulturës, Ylli Pango, tha në TV “Klan” të enjten në mesnatë, se ai i ka kërkuar avokatit të tij, Genc Gjokutaj, që të investigojë në lidhje me emisionin e “Top Channel”. Pango tha se nuk ka ofruar pará në lidhje me këtë çështje.

Por, ndërsa emisioni po transmetohej, ka ndërhyrë vetë avokati Gjokutaj që ka mohuar se ka patur takime apo është informuar për këtë çështje duke deklaruar se ka mësuar për të, kur është transmetuar.

Pango: Nuk e dorëzoj mandatin

Ndryshe nga sa i është kërkuar publikisht nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, deputeti demokrat, Ylli Pango, ka theksuar se nuk do të lërë mandatin e tij, çka nënkupton se ai do të jetë në Kuvend. “Mandatin ma ka dhënë zona 38, është një mandat i marrë me gjak, me luftë, me djersë, është një mandat që s’ma ka dhuruar asnjë deputet apo kryetar parlamenti. Heqja e këtij mandati nuk i bën mirë, jo vetëm Ylli Pangos, por as PD. Të heqësh mandatin, do të thotë të kërkosh zgjedhje në atë zonë dhe kjo s’realizohet dot”, - tha Pango.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›