E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të ruhemi nga vetvetja!

Edmond Tupja 

Pas skandalit kulturoministror të kësaj jave, më duket modestisht e udhës t’i parashtroj lexuesit tim të vëmendshëm e të paanshëm disa mendime lidhur me moralin e individit në përgjithësi dhe atë të pushtetarit në veçanti, të paktën në Shqipëri Le të më lejohet ta nis me një aforizëm apo batutë që mban firmën e filozofit frëng Volter ose që, të paktën, i vishet atij: “O Zot, mbromë nga miqtë se nga armiqtë ruhem vetë!”. Zoti ish-ministër i Kulturës, me shumë gjasë, e harroi, në ndërmarrjen e vet të pamoralshme, vërtetësinë e aforizmit apo të batutës në fjalë. Por ai, sipas meje, harroi edhe diçka tjetër. Shumë të rëndësishme për çdo njeri në përgjithësi dhe, sidomos, për çdo pushtetar në veçanti. Harroi riformulimin e zgjeruar të mendimit volterian: “O Zot, ruamë nga vetvetja se nga armiqtë e nga miqtë mbrohem vetë!” Zoti ish-ministër i Kulturës, ra kështu pre e vetvetes. Pre e vetvetes mund të bjerë çdo njeri. Edhe ti, edhe ju, edhe ne, edhe unë, i dashur lexues i moralshëm i rubrikës sime. Sepse gjithçka është brenda njeriut, thellë e më thellë, në rropullitë e në skutat më të errëta të qenies e të shpirtit të tij të kthjellët në sipërfaqe, të turbullt në nënshtresat e veta të padukshme.
Njeriu që ka e ushtron edhe më të voglin pushtet mbi dikë tjetër, qoftë ky njeri i rëndomtë e anonim, qen shtëpie, peshk akuariumi apo zog kafazi, është i prirur të abuzojë me pushtetin e tij, pale po të jetë pushtetar. Pushtetar. Sa e llahtarshme mund të tingëllojë kjo fjalë në rrethana të caktuara për individë të caktuar! Pusht-etar! Gjysma e parë e këtij emri është tmerrësisht domethënëse. Pushteti, më saktë pusht-eti, i cilësdo natyrë qoftë ai, e tjetërsoka njeriun deri në atë pikë sa e futka në konflikt jo vetëm me të tjerët, por edhe me vetveten. “O Zot, mbromë nga vetvetja!” I ngjashëm me këtë paralajmërim shfaqet edhe mallkimi që i bëjnë shkodranët, me humor e filozofi, njeriut që ua bën borxh, duke i uruar: “T’hyft’ vedi n’qejf!” Kjo ndodhi edhe me ish-ministrin e Kulturës. Kjo mund të ndodhë me çdo ministër, madje edhe kryeministër, president, mbret a perandor sot e në të ardhmen, siç ka ndodhur edhe në të kaluarën e largët e të afërt.
Në këtë drejtim, e keqja, pra, qenka brenda teje, brenda jush, brenda nesh e brenda meje! Ajo materializohet, në disa kushte të dhëna e për disa individë të dhënë, përmes tundimit. Sigurisht, siç theksonte Rusoi, ky filozof bashkëkohës i Volterit (të cilin po e citoj me fjalët e mia), “është krejt e natyrshme të tundohesh, por forca e karakterit të njeriut qëndron në aftësinë e tij jo për të mos u tunduar, por për të mos iu dorëzuar tundimit”.
Të gjithë njerëzit pa përjashtim duhet ta mbajnë parasysh këtë të vërtetë të thellë, qofshin ata kryetarë familjeje, komune, bashkie, akademie, partie, dikasteri ministror, qeverie apo parlamenti. Askush prej tyre nuk është e nuk ka për të qenë kurrë i imunizuar kundër abuzimit me atributet e prerogativat që gëzon, sepse i tillë është vetë thelbi i kësaj dukurie komplekse, të quajtur pushtet, më saktë pusht-et, me rreziqe të përbindshme në epoka e vende të caktuara (Kujtoni, vetëm në shekullin XX e në kontinentin europian, Hitlerin, Stalinin e Enverin ndër të tjerë).
Pa më të voglin dyshim, të shumtë janë ato dhe ata që e dënuan dhe e dënojnë veprimin e pamoralshëm të ish-ministrit të Kulturës. Të shumtë, vërtet, ndonëse nuk i kam numëruar. Por unë do t’i ftoja këto zonja e këta zotërinj të moralshëm të hidhnin një vështrim zhbirues të pamëshirshëm në thellësitë e ndërgjegjes së tyre deri në nënvetëdije. A janë të sigurta ato e të sigurt ata, a jemi të sigurt ne, a je i sigurt ti, a jam i sigurt unë që, një ditë të bukur apo, më saktë, të shëmtuar, me të fituar një post diku në lagje, komunë, qendër pune, parti, ministri apo qeveri, nuk do të tundohemi gati të gjithë nga pushteti, më saktë pusht-eti, që do të ushtrojmë mbi vartëset e vartësit tanë për të abuzuar me të, duke harruar kështu të ruhemi nga vetvetja?

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›