E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dështon seanca për imunitetin, Berisha: Referendum popullor

Parlamenti nuk hodhi në votim heqjen e imunitetit, pasi mazhoranca nuk preferoi të votonte ligjin pas kundërshtimit këmbëngulës të opozitës. Seanca maratonë, e cila zgjati për rreth 8 orë me radhë, u mbyll me fjalinë e Kryministrit ku paralajmëroi referendum popullor për heqjen e imunitetit.
 

“Duhet të pranonin barazinë para ligjit, të shembnin murin zyrtar të korrupsionit dhe të hapnin dyert e statusit kandidat. Rrallë ndonjëherë në historikun e këtij vendi ligjvënësit shqiptarë do mund të kishin merita dhe efekte të mëdha për zgjedhësit e tyre dhe të ardhmen europiane. Por mjerisht me gjithë rëndësinë jetike të këtij votimi për të çelur dyert e statusit në BE, sot nga 10 e 30 deri në këtë moment deputetët e opozitës ngritën tullë pas tulle gur pas guri murin e bllokimit, u zotuan se do bllokojnë votimin për heqjen e imunitetit, një akt i paprecedentë në historinë e parlamenteve të vendeve demokratike. Kjo seancë mbaron këtu dhe unë zotohem sot para jush se mazhoranca që nesër do të nisë procedurat për mbajtjen e një referendumi popullor për heqjen e imunitetit”, tha Berisha.
 

Ndërsa në emër të grupit parlamentar socialist, deputeti Pandeli Majko, deklaroi në parlament se Partia Socialiste nuk do të votojë heqjen e imunitetit. Sipas tij në Shqipëri duhet të hiqet së pari imuniteti politik, sepse është ky imunitet që mban ligjin, drejtësinë dhe tremb prokurorinë e gjykatësin e çdo niveli.
 

“Ne socialistët nuk do të votojmë ndryshimet kushtetuese. Nuk ndjehemi të lodhur për të votuar disa ndryshime kushtetuese. Sot shoqëria e publiku shqiptar ka nevojë të kuptojë realitetin përtej demagogjive, përtej korrupsionit. Kjo seancë nuk mund të jetë një betejë për fatin e opozitës”, u shpreh Majko.

Majko gjithashtu shtoi se opozita ka hedhur hapat e veta për imunitetin dhe sipas tij ajo që ndodhi ishte e kundërta.
 

“PS u angazhua, debatoi në realizimin e një kompromisi për nenet e imuniteteve të gjyqësorit. Mëkat i opozitës ishte se propozoi disa ndryshime të tjera që konsistonin në mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve të gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë e prokurorit të përgjithshëm. Në vend të gjakftohtësisë PD, këtë periudhë e ka menaxhuar me inflacion deklaratash. Ajo që kërkoi opozita ishte e drejta për t`u shprehur për propozimet e saj, përgjigja ishte e prerë, JO. Opozitës iu lanë dy alternativa, ose të përballej me talljen dhe e dyta të pranonte mallkimin e mazhorancës si bllokuese e integrimiet në BE” theksoi Majko.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›