Dështimi për të shpëtuar Evropën Lindore do të zhysë në krizë gjithë botën
Nëse menaxhohet keq nga establishmenti i politikave botërore, kjo krizë është aq e madhe, sa mund ta shkatërrojë sistemin e brishtë bankar të Evropës Perëndimore.
Ministri i Financave i Austrisë, Josef Pröll, bëri përpjekje të mëdha të grumbullonte 250 miliardë euro shpëtim për ish-bllokun sovjetik. Ndoshta ia arrin. Bankat e tij i kanë huazuar 230 miliardë rajonit, e barabartë me 70% të GDP (Prodhimi i Brendshëm Bruto).
“Një rënie 10% e interesit do të çonte në shembjen e sektorit financiar austriak”, - raportoi “Der Standard” në Vjenë. Fatkeqësisht, kjo ka mundësi të ndodhë.
Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), thotë se borxhet e këqija do t’i kalojnë 10% dhe mund të arrijnë 20%. Shtypi i Vjenës tha se Bank Austria dhe pronarja e saj italiane, Unicredit, po përballen me “një Stalingrad monetar” në Lindje. Zoti Pröll u përpoq të fitonte përkrahje për paketën e tij të shpëtimit nga ministrat e Financave të BE javën e kaluar në Bruksel. Ideja e tij u kundërshtua nga ministri gjerman, Peer Steinbrück. “S’është problemi ynë”, - tha ai.
Le të shohim për këtë. Stephen Jen, shefi i kredive në Morgan Stanley, tha se Evropa Lindore ka marrë hua 1.7 trilionë dollarë nga jashtë, pjesën më të madhe me maturim afatshkurtër. Ajo duhet të ripaguajë 400 miliardë këtë vit, e barabartë me një të tretën e GDP së rajonit. Fat të mbarë! Dritarja e kreditimit është mbyllur. As Rusia nuk mund ta mbulojë lehtë borxhin prej 500 miliardë dollarësh të oligarkëve të saj, ndërsa nafta vazhdon me 33 dollarë për fuçi. Buxheti është bazuar mbi naftë bruto të Uraleve me 95 dollarë fuçia. Rusia ka harxhuar 36% të rezervave të jashtme të saj për të mbrojtur rublën, që nga gushti.
“Kjo është mbrojtja më e gjatë e një monedhe në histori”, - tha zoti Jen.
Në Poloni 60% e kredive të banesave janë në franga zvicerane. Zloty është përgjysmuar kundrejt frangës. Hungaria, Ballkani, Baltiku dhe Ukraina po vuajnë variante të ngjashme të kësaj historie. Pothuajse gjithë borxhet e bllokut lindor janë marrë në Evropën Perëndimore, sidomos në bankat austriake, suedeze, greke, italiane dhe belge. Evropianët përbëjnë 74% të gjithë portofolit 4.9 trilionë dollarë të kredive të tregjeve në zhvillim. Ata janë pesë herë më të ekspozuar ndaj krizës së fundit më shumë se bankat amerikane dhe japoneze dhe ato kanë dhënë 50% kredi tej normave. Spanja është e zhytur deri në grykë me Amerikën Latine, e cila i është bashkuar krizës së fundi (prodhimi i makinave në Meksikë ra 51% në janar, ndërsa Brazili humbi 650 mijë vende pune në një muaj). Britania dhe Zvicra janë të zhytura deri në grykë në Azi. Nuk dihet, nëse duhen disa muaj apo disa javë që bota do të zbulojë se sistemi financiar i Evropës është mbytur dhe BE nuk ka Rezerva Federale të veprojnë si shpresa e fundit e kreditimit apo të përmbytë tregjet me stimuj emergjence. Sipas një analize, Banka Qendrore Evropiane ka nevojë tashmë për të ulur normat e interesit në zero dhe pastaj të blejë bono dhe obligacione (Pfandbriefe) në shkallë të lartë. Është e kufizuar nga gjeopolitika, vetoja gjermano-holandeze dhe Traktati i Mastrihtit.
Tashmë është i afërt shpërthimi i Evropës. Erik Berglof, krye-ekonomisti i BERZH, më tha se rajoni mund të ketë nevojë për 400 miliardë euro për të mbuluar kreditë dhe të rigjallërojë sistemin. Qeveritë e Evropës po i çojnë gjërat më keq. Disa u bëjnë presion bankave të tërhiqen, të shkurtojnë ndihmat për Evropën Lindore. Greqia ka urdhëruar bankat e saj të tërhiqen nga Ballkani. Shumat që nevojiten janë tej limiteve të FMN, e cila ka shpëtuar tashmë Hungarinë, Ukrainën, Letonia, Bjellorusinë, Islandën dhe Pakistanin, Turqia është në radhë, dhe po i mbaron me shpejtësi rezervat e saj prej 200 miliardë dollarësh. Po mbërrijmë në pikën ku FMN mund t’i duhet të presë monedhë për botën. 16 miliardë dollarëshi i shpëtimit të Ukrainës e ka ndarë lëmshin. Vendi- duke përballuar një rënie me 12% të GDP pas rrënimit të çmimit të çelikut - po rend drejt pamundësisë për t’ia dalë, duke lënë Unicredit, Raiffeisen dhe ING në baltë. Pakistani dëshiron një tjetër 7,6 miliardë dollarësh. Guvernatori i bankës qendrore letoneze e ka deklaruar ekonominë e tij klinikisht të vdekur, pasi ajo u tkurr 10,55 në tremujorin e katërt. Protestuesit sulmuan departamentin e Thesarit dhe parlamentin.
“Kjo është shumë më keq sesa kriza e viteve 1990 në Azinë Lindore”, - thotë Lars Christensen në Danske Bank. “Ka aksidente që pritet të ndodhin në rajon, por institucionet e BE nuk kanë ndonjë plan se si mund të përballen me të. Dita që vendosën të mos shpëtojnë një prej këtyre vendeve, do të jetë ajo që shkrepi këmbëzën e një krize masive dhe që do të përfshijë të gjithë Evropën”. Evropa është në një turbullirë më të thellë sesa liderët e Bankës Qendrore dhe të BE kanë pritur. Gjermania pati rënie me 8,4% në tremujorin e fundit. Nëse Deutsche Bank është e saktë, ekonomia duhet të jetë ulur me 9% afërsisht para fundit të këtij viti. Ky është nga ato nivele që ushqen revoltat popullore. Implikimet janë të qarta. Berlini nuk do të shpëtojë Irlandën, Spanjën, Greqinë dhe Portugalinë, ndërsa groposja e flluskave të tyre të kredive çon në rritjen e pamundësive për të vepruar apo shpëtimin e Italisë duke pranuar planet për “bono të bashkuara” të BE, apo të shpëtojë Austrinë nga aventurizmi i saj habsburgas. Kësisoj, ne shohim dhe presim, teksa zjarri vdekjeprurës vjen pranë. Nëse një xixë kërcen vijën e eurozonës, ne do të kemi krizë globale brenda disa ditësh. A janë gati zjarrfikësit?