E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fidel Ylli në Skrapar, kandidat për deputet i PS në qarkun e Beratit

Nga L.Progni

Fidel Ylli do të jetë një prej kandidatëve të PS në qarkun e Beratit. Ylli është shfaqur në krah të Ramës në takimin e zhvilluar me vullnetarët e PS në Poliçan, dy ditë më parë. Një anëtar i bordit të qytetarëve ka propozuar emrin e Fidel Yllit, edhe pse ky i fundit kishte muaj që kishte nisur aktivizimin e tij në Skrapar si kandidat për deputet. Propozimi erdhi në mbledhjen që Edi Rama kishte organizuar me bordin e qytetarëve. I zgjedhur prej kryetarit të PS, Edi Rama, por i propozuar formalisht nga bordi i qytetarëve në Skrapar, Fidel Ylli ka nisur kështu punën konkretisht si kandidat i PS në qarkun e Beratit në rrethin e Skraparit. Në takimet e tij në Poliçan e Kuçovë, Rama shoqërohej nga deputetët e këtij qarku. Me kandidaturën e Fidel Yllit nis kështu procesi i propozimeve të kandidatëve për deputetë nga bordet e qytetarëve. Kandidati i propozuar nga bordi i qytetarëve pritet të jetë në listën fituese, pasi janë pikërisht këta emra, të rinjtë që do të sjellë Edi Rama në grupin parlamentar të PS. Propozimi i kandidaturës së Fidel Yllit pritet të pasohet me të tjera propozime në takime të tjera që Rama pritet të zhvillojë në të gjithë Shqipërinë me bordet e qytetarëve, prej nga dhe do të dalin propozimet për kandidaturat fituese të PS nëpër qarqe, por që i përkasin listës së njerëzve të afërt të Ramës. Ndërsa shumë shpejt po formatohet imazhi i ri i grupit parlamentar të PS, pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, shumë prej deputetëve aktualë të PS nuk kanë asgjë të sigurt, nëse do të jenë në listat e kandidimit, dhe aq më pak në listën fituese. Beteja për listën e kandidimit ka nisur dhe shumë shpejt pritet të reflektohet publikisht në reagime të deputetëve aktualë të PS, të cilët s’kanë asgjë të sigurt, nëse do të rikandidohen apo të rikandidojnë për të fituar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›