Curri: “Me Hungarinë, si kundër Suedisë”
Te qendërmbrojtësi i Kombëtares, Debatik Curri, ende ndihet “hija e Maltës”, por kosovari beson se në ndeshjen e 28 marsit kundër Hungarisë, Shqipëria do të tregojë se “aventura malteze” ishte thjesht një rastësi.
“Është e natyrshme, - tha Debatik Curri në linjë telefonike nga Turqia për “Albania”-n, - që barazimi me Maltën ishte i papritur për ne, pasi të gjithë ne shpresonim në fitore, çka do të na çonte në vendin e parë. Të gjithë lojtarët pas ndeshjes kanë qenë të mërzitur, madje edhe gjatë udhëtimit në avion thuajse qëndruan të heshtur.
“Edhe me Dallkun në rrugën e kthimit për në Turqi folëm shpesh për atë që ndodhi në Maltë, por unë mendoj se kundër Hungarisë do të tregojmë po ato vlera që dëshmuam kundër Suedisë (0-0) në ‘Qemal Stafa’ e Portugalisë (0-0, në Braga)”. Curri, i mbështetur edhe nga Elvin Beqiri, ia doli të bllokonte e të nxirrte jashtë loje yllin suedez Zlatan Ibrahimoviç.
Debatik Curri (28 ndeshje me Kombëtaren, 1 gol) pohoi se Malta i dha atij dhe shokëve të ekipit një motiv më shumë për të bërë një prezantim të denjë në “Qemal Stafa”, aq më tepër kur priten të rikthehen mesfushorët Altin Lala e Lorik Cana, kapiteni dhe zëvendëskapiteni i Shqipërisë.
“Në të vërtetë patëm disa probleme në mesfushë, kjo u pa nga të gjithë, dhe besoj se prania e Lalës e Canës do të na ndihmojë për të qenë më të sigurt e më agresivë kundër Hungarisë”, - tha Curri, një ndër pesë futbollistët kosovarë që së bashku me Arjan Beqajn, Lorik Canën, Armend Dallkun e Besart Berishën militojnë në “Kombëtaren Etnike”, siç e quan ai.
Ekipi i tij ukrainas, Vorskla Poltava, është duke mbyllur ditët e fundit të përgatitjeve dimërore në Antalia të Turqisë. “Më 28 shkurt fillon kampionati dhe ndeshjen e parë e kemi në shtëpi kundër Tavri, një skuadër ndaj së cilës në fazën e parë fituam 3-1 në transfertë, ku një nga golat i shënova dhe unë”, - tha Curri, i cili në fazën e parë realizoi tre gola. “Duhet ta fitojmë këtë takim, pasi e gjithë tifozeria jonë e pret një fitore”.
Racizmi në Francë, Cana “burgos” dy veta
Racizmi në sport është shndërruar në një temë të nxehtë në Francë. Madje media franceze i ka konsideruar si rastin më ekstrem fyerjet ndaj shqiptarit Lorik Cana, kapitenit të Olimpikut të Marsejës. Sipas faqes football.fr, personi që kishte fyer Lorikun u ndëshkua me gjashtë muaj burg dhe një vit moslejimin e tij për të ndjekur ndeshjet. Cana është fyer dy herë, dhe në dyja rastet “racistët francezë” janë ndëshkuar me burg dhe me heqjen e së drejtës për të hyrë në stadium për një periudhë të caktuar kohore. Rasti i parë daton më 13 maj 2008, ndërsa u dyti më 14 gusht 2008. Gjatë sezonit 2007-2008, 14 persona u gjykuan për akte raciste gjatë ndeshjeve të Ligës së parë franceze, pesë prej të cilëve për akte të ndodhura jashtë stadiumeve.
Mungesa e tij te Shqipëria në barazimin e zbehtë ndaj Maltës (0-0) u ndje shumë, ashtu si dhe te Olimpiku i Marsejës, që edhe pse fitoi të dielën në tranfertë kundër Monakos (0-1). Faqja e njohur sportive franceze në një analizë të saj të kampit të Olimpikut të Marsejës, shkruan. “Lorik Cana dhe Manadu Niang, dy lojtarë jetësorë të kolonës vertebrale marsejeze, janë gati të rintegrohen në grupin e trajnuar nga Erik Gerets”. Heronjtë po kthehen. Ndeshja e ardhshme e Marsejës është ajo në shtëpi kundër Lë Mansit.
Mavraj, mbrojtësi kosovar merr “2”-sh
Mbrojtësi kosovar, Mërgim Mavraj, u vlerësua si ndër lojtarët më të mirë të Bokumit në fitoren 2-1 kundër Shalkes në kampionatin gjerman. Mavraj u vlerësua me notën 2 (shumë mirë) nga gazeta sportive gjermane “Revier Sport”. “Ishte pak më i fortë se kolegu i tij i mbrojtjes. Reagoi thuajse pa gabime, duke u treguar shumë më i përqendruar se sa në të kaluarën. Është më shumë se një talent shpresëdhënës në qendër të mbrojtjes”.
Festa e Pavarësisë, Prishtina-Dinamo
Me rastin e 1-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, sot në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, do të zhvillohet takimi mbarëkombëtar mes skuadrës kampione të Kosovës, Prishtina, dhe skuadrës kampione të Shqipërisë, Dinamo. Në fund të një ndeshjeje të tillë, të rrallë dhe të shumëpritur mes skuadrash të të njëjtit komb, do të ndahet edhe një trofe simbolik për fituesit. Klubi i Dinamos shprehu me këtë rast kënaqësinë e jashtëzakonshme për pjesëmarrjen në këtë takim dhe përcjell urimet më të përzemërta për popullin e Kosovës në këtë përvjetor të shënuar të Festës së Pavarësisë.
17 Shkurt 2009