Fazlliç, sërish në prokurori
Sekseri boshnjak, Damir Fazlliç, është paraqitur sërish dje në Prokurorinë e Tiranës për të dëshmuar për çështjen e hapur ndaj tij. Mësohet se ai është njohur me materialet, të përgatitura dhe në gjuhë të huaj dhe ka firmosur dëshminë e dhënë nga vetë ai.
Akoma nuk mësohet asnjë gjë në lidhje me atë çka dëshmuar Fazlliç para dy prokurorëve që po merren me çështjen e tij. Fazlliç është shfaqur dje i nervozuar para gazetarëve dhe nuk ka pranuar që të prononcohet për çështjen në fjalë.
Prej dy ditësh, sekseri serbo-boshnjak, Damir Fazlliç, ndodhet në Tiranë për të dëshmuar para prokurorëve. Prej disa ditësh prokuroria i kishte dërguar atij fletëthirrjen për të dëshmuar. Fazlliç ka thënë se ai ka ardhur për të respektuar institucionet e drejtësisë shqiptare
Ai akuzohet për pastrim parash në vendin tonë. Çështja Fazlliç u hap disa muaj më parë dhe deri tani ai është përfaqësuar në prokurori nga avokatët e tij.
Mësohet se dy prokurorët e çështjes, Dritan Rreshka dhe Besnik Cani, e kanë marrë në pyetje biznesmenin e huaj, mbi të cilin rëndojnë një sërë akuzash. Damir Fazlliç, siç ka deklaruar edhe vetë, është mik i kryeministrit Berisha. Përmes tij ai ka përfituar të shtrijë biznesin e tij në Shqipëri dhe në disa raste duke përfituar në mënyrë të paligjshme.
Gazeta “TemA” ka botuar prej kohësh disa prej abuzimeve që janë bërë nga Fazlliç në kurriz të mbështetjes që i ofron kryeministri, Sali Berisha. Emri i tij shfaqet në shumë blerje, transaksione të dyshimta dhe privatizime në vend. Pas çdo veprimi të tij ndodhet studioja ligjore e vajzës së kryeministrit, çka bën që dyshimet të rriten që Fazlliç të jetë sekser i pazareve të vajzës së kryeministrit.
Një nga skandalet e botuara së fundmi nga gazeta “TemA” është lidhja e Fazlliç me pronarin e kompanisë RUDNAP. Kjo e fundit ka marrë miliona euro nga shteti shqiptar për të shitur energji. Para disa kohësh ajo nuk ekzistonte në listën e kompanive që na shisnin energji, por arriti që të bëhej kompania kryesore që na ofron energji, edhe pse oferta e saj nuk është më e mira.
Fazlliç u përfshi dhe në një skandal me një tender të rëndësishëm miliona dollarësh për furnizimin e shkollave shqiptare me kompjuterë dhe materiale të tjera elektronike.
Një ngarkesë e tillë, me destinacion Shqipërinë, u ndalua në Itali, për shkak se kompjuterët ishin me etiketa false nga Kina.
Askush nuk ka dhënë ende një sqarim për këtë çështje, ndërkohë që vetë ministri i Arsimit e ka pranuar se ishin në pritje të një ngarkese të madhe me kompjuterë. Firma serbe që fitoi këtë tender ka një degë në Qipro, pikërisht aty ku burojnë disa nga kompanitë fantazmë të Fazlliçit.
10 gusht
Njeriu “hije” i Berishës, trafikant ndërkombëtar armësh
Gazeta “TemA” nis botimin e fakteve për Damir Fazlliç, njeriun në krah të kryeministrit Berisha. Fazlliç u bë shumë aktiv nga mesi i vitit 2005 në Shqipëri, ndërsa u njoh me kreu e PD, Berisha, në Uashington, ndërsa ky i fundit shkoi të lidhte marrëveshjen me kompaninë e lobingut BG&R. Roli i Fazlliçit në PD dhe në marrëdhënie me Berishën mori një tjetër dimension, kur Fazlliç pas fitores së PD filloi të negociojë në emër të pushtetit të ri disa kontrata, ku përfshihen infrastruktura, energjia dhe Telekomi.
11 gusht
Miku boshnjak i Berishës, i lidhur me klanin e Zemunit
Damir Fazlliç rezulton me një dosje shumë voluminoze të bashkëpunimeve të tij me personazhe të njohur të botës së krimit. Mediet më serioze të Bosnjë-Hercegovinës kanë raportuar lidhur me aktivitetin në vite të zotit Fazlliç, ndërsa ai spikat në një lidhje shumë serioze me bazë Beogradin. Sipas medieve boshnjake, Fazlliç së bashku me ish-ministrin e Mbrojtjes të Bosnjës, Hasan Çengiç, janë marrë në pyetje pas të dhënave se ata mund të kishin fshehur vrasësin (Milorad Ulemek, “Legija”), e kryeministrit serb, Zoran Xhinxhiç.
5 tetor
Ortakja e Argitës, Flutura Kola, pagoi 1,75 milionë euro nga Qipro për Damir Fazlliçin
Damir Fazlliç rezulton se ka biznese të përbashkëta ose në bashkëdrejtim me njeriun e familjes së Lulzim Bashës dhe ka bërë transferta të dyshimta parash nga Qipro në Tiranë me ndihmën e bashkortakes së Argita Berishës.
12 tetor
Skandal me kompaninë “Rompetrol” dhe tokat në Porto-Romano
Skandali “Rompetrol” nisi fillimisht, kur në emisionin “Faktori Plus” u konstatua që Fazlliç ishte anëtar i vetëm i Bordit Mbikëqyrës të “Rompetrol Albania”. Më pas, të enjten, u verifikua skema e skandalit. Dy filialet e “Rompetrol”-it në Shqipëri kishin rreth 1 milion euro detyrime në shtet. Damir Fazlliç i udhëzon të falimentojnë dy filialet dhe të hapin dy të rejat.
Por, te filiali i ri i hapur, “Rompetrol Albania” sh. a., rezulton që Fazlliç ka hyrë 40 për qind aksioner me firmën qipriote “Kelena L. T. D”. Fazlliç e përfaqëson atë firmë në Shqipëri, dhe ai tashmë i bie të ketë 40 për qind të tokës në Porto Romano, ku mendohet se ka dhe persona të tjerë të rëndësishëm, shumë të lidhur me kryeministrin Berisha. Për të gjitha aktet noteriale sërish është përdorur Flutura Kola, bashkëpronarja në studio me Argita Berishën. Ajo ka bërë regjistrin e firmës “Rompetrol Albania” sh. a.
27 nëntor 2008
Fazlliç merr tenderin e rëndësishëm të kompjuterizimit të shkollave
Sekseri i qeverisë shqiptare, serbo-boshnjaku Damir Fazlliç, ka arritur të fitojë një tender të rëndësishëm të qeverisë shqiptare. Bëhet fjalë për tenderin për instalimin e kompjuterëve dhe rrjetit në 665 shkolla në vendin tonë dhe që kap një vlerë prej 10 milionë dollarësh. Lajmi është konfirmuar dhe nga mediet e Serbisë. Sipas tyre, një konsorcium serb, “MP Soft Group”, ka marrë këtë tender. Ato theksojnë faktin se kjo kompani me qendër në Beograd ka degët e saj në Pragë të Çekisë dhe në Limasol të Qipros. Pikërisht, dega e kësaj kompanie në Qipro është e Fazlliçit.
27 janar 2009
Fazlliç dhe Lazareviç, biznes karburantesh në Shqipëri
Lidhja mes Damir Fazlliçit dhe pronarit të firmës serbe, RUDNAP, (Vojin Lazareviç), është kristalizuar qartazi në mes të Tiranës, në dy firma të përbashkëta karburantesh. Kjo edhe falë kontributit të studios legale të Flutura Kolës, e cila është e njohur për ortakërinë që ka në këtë fushë me familjarë të kryeministrit Berisha. Dokumenti tregon se më 21 qershor 2007, Fazlliç dhe Lazareviç nëpërmjet firmës së tyre qipriote “Poligraf Invests Limited” kanë autorizuar avokaten Flutura Kola të bënte regjistrimin në Tiranë të firmave “Petrol Slovenia Tirana Wholsale” dhe “Petrol Slovenia Tirana Distribution”.