E Diel, 1 Nëntor 2026

Fazlliç dëshmon para prokurorëve: Po respektoj drejtësinë shqiptare

Nga Bledar Lumani

Sekseri serbo-boshnjak, Damir Fazlliç, ka mbërritur në Tiranë për të dëshmuar para prokurorëve. Për më shumë se dy orë ai është pyetur në lidhje me disa çështje. Prej disa ditësh prokuroria i kishte dërguar atij fletëthirrjen për të dëshmuar. Fazlliç ka thënë se ai ka ardhur për të respektuar institucionet e drejtësisë shqiptare.

Ai akuzohet për pastrim parash në vendin tonë. Çështja Fazlliç u hap disa muaj më parë dhe deri tani ai është përfaqësuar në prokurori nga avokatët e tij.

Mësohet se dy prokurorët e çështjes, Dritan Rreshka dhe Besnik Cani, e kanë marrë në pyetje biznesmenin e huaj, mbi të cilin rëndojnë një sërë akuzash. Damir Fazlliç, siç ka deklaruar edhe vetë, është mik i kryeministrit Berisha. Përmes tij, ai ka përfituar të shtrijë biznesin e tij në Shqipëri dhe në disa raste duke përfituar në mënyrë të paligjshme.

Pikërisht për këtë është duke u hetuar. Mësohet se hetuesit e dosjes që nga tetori i vitit të kaluar kanë mbledhur një sërë provash materiale dhe kanë marrë në pyetje një numër jo të vogël personash në cilësinë e deklaruesve dhe personave që kanë dijeni për çështjen.

Ndërkohë, në mesin e të pyeturve nga akuza janë edhe ortakja e studios ligjore të vajzës së kryeministrit, avokatja Flutura Kola dhe bashkëshorti i saj, Florenc Kola, i cila ka qenë personi që në emër të kompanisë së personit nën hetim ka blerë 14 hektarë tokë në dy parcela në fshatin Rinia të komunës së Porto Romanos në Durrës.

Njësia e Task-Force-s së prokurorisë së Tiranës pas hetimeve 4- mujore ka zbardhur të gjitha kontratat e shitblerjes së dy parcelave në fshatin Rinia të komunës Porto Romano në Durrës, ku serbo-boshnjaku Damir Fazlliç ka blerë 14 hektarë tokë.

Sipas burimeve zyrtare, mësohet se nga sekuestrimi i të gjitha kontratave të shitblerjes ka rezultuar se kompania e drejtuar nga shtetasi Damir Fazlliç, “Crown Acquisitions”, e cila është shitur më pas te kompania e tij me seli në Qipro, “Altaria Research Limited”, ka blerë 140 mijë metra katrorë truall në dy parcela në fshatin Rinia të komunës Porto Romano në Durrës.

Përfundimi i këtyre hetimeve katërmujore ngre dyshime të forta se këto transaksione bankare të shitblerjes së kompanive kanë qenë shitje fiktive që përbën një nga elementët e kryerjes së veprës penale të “Pastrimit të parave”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›