E Diel, 1 Nëntor 2026

Dështojnë investimet, realizohen gjysmat

Nga Genc Kondi
Sipas statistikave të Financave Publike, janë 9 miliardë investime të parealizuara gjatë periudhës nga janari deri në fund të shtatorit të këtij viti. Ndër të cilat, nga fondet e brendshme mungojnë 6 miliardë lekë 

TIRANE-Ka shënuar dësh timin e radhës në investimet e nëntëmujorit qeveria 'Berisha', e cila vijon të "shkëlqejë" vetëm me objektin e saj, që po e ndërton "me goditje të përqendruar", rrugën Durrës-Kukës. Sipas statistikave të Financave Publike, janë 9 miliardë investime të parealizuara gjatë periudhës nga janari deri në fund të shtatorit të këtij viti. Ndër të cilat, nga fondet e brendshme mungojnë 6 miliardë lekë dhe 3 miliardë të tjerë mungojnë nga fondet e parashikuara me financime nga jashtë vendit. Ndoshta, sikurse ka ndodhur edhe vitet e kaluara, investimet do të përqendrohen në fund të vitit, praktikë, që është kritikuar, si nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, ashtu edhe nga Banka e Shqipërisë, duke qenë se krijon rreziqe të mëdha për inflacion. Por, mungesa e projekteve dhe paaftësia e disbursimeve në mënyrë të ekuilibruar gjatë gjithë vitit sjellin vazhdimisht të njëjtin problem në çdo fundviti. Praktikisht, deri tani është realizuar vetëm 48 për qind e fondeve, të planifikuara për gjithë vitin, ndonëse kanë kaluar tri të katërtat e vitit dhe, normalisht duhej të ishin realizuar rreth 75% e tyre.
Ajo që nuk vuan nga këto prapambetje është "objekti i artë" i qeverisë, segmenti rrugor i verilindjes që, sikurse ka thënë Berisha, synon të lidhet me Nishin në Serbi, përtej Kosovës. Investimet me fonde të brendshme për këtë rrugë nuk kanë pësuar ndryshim që nga muajt e parë të vitit, duke mbetur në shifrën afro 2 miliardë lekë të reja. Ndërkohë, financimi me fonde të huaja ka ardhur në rritje, por është bllokuar, edhe ky, në muajin gusht. Në atë kohë, banka private Alpha Bank ka dhënë për Buxhetin e Shtetit shqiptar pjesën e kredisë me terma tregtare prej 15.8 miliardë lekësh të reja (afro 130 milionë euro).
Të ardhurat
Gati në të gjithë treguesit e të ardhurave për nëntëmujorin, administrata fiskale ka pësuar dështim. Bëjnë përjashtim Tatimi mbi Vlerën e Shtuar e Tatimi mbi të Ardhurat Personale. Ndërsa i pari ndikohet dukshëm edhe nga rritja në tregun ndërkombëtar të çmimeve të mallrave, të cilat gjithnjë e më shumë importohen në Shqipëri, i dyti është rezultat i një serie të tërë masash shtrënguese ligjore e nënligjore. Me anë të të cilave, si asnjë herë tjetër, u vunë rregulla të reja në lojën e ekonomisë së tregut të lirë: kështu, tani qeveria përcakton pagat e referencës për të gjitha kategoritë e punonjësve të sektorit privat të ekonomisë, cakton çmimet referencë të shitjes e blerjes së mallrave. Madje, cakton edhe numrin e punonjësve të biznesit të vogël, për të cilët duhen paguar sigurime shoqërore.
Mosrealizimet
Megjithatë, mosrealizimet janë të shumta dhe në të gjitha drejtimet. Kështu, në totalin e të ardhurave buxhetore, të parashikuara për 9-mujorin mungojnë 4 miliardë lekë. Nga të ardhurat tatimore mungojnë 3.5 miliardë, ndërkohë që nuk janë realizuar grantet (ndihmat) për afro 1.2 miliardë lekë të tjera. Në taksat nacionale mungojnë 619 milionë lekë, kurse afro 300 milionë lekë më pak se parashikimi janë grumbulluar në zërin e tatimfitimit. Ajo që të bën më shumë përshtypje është dështimi i theksuar në mbledhjen e akcizës. Mallrat e akcizës (naftë, alkool, etj) janë rritur, si në volum, ashtu edhe në vlerë, ndikuar nga pështjellimi në tregjet ndërkombëtare. Edhe qeveria ka rritur normat e tyre për të gjitha mallrat e përfshira në këtë sistem. Por, në një kohë kur ato duhej të shënonin rritjen më të ndjeshme në të ardhurat, akcizave të mbledhura nga Tatimet e Doganat u mungojnë 1.5 miliardë lekë si 9-mujor. Kjo është shenjë e pastër e korrupsionit në këto administrata.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›