Kapet studentja e mjekësisë me 600 gr kokainë
Një studente e mjekësisë në Universitetin e Tiranës është vendosur në pranga pasi akuzohet për trafik droge. Studentja 20-vjeçare, nga qyteti i Korçës, është arrestuar në pikë kufitare të Kapshticës
KAPSHTICE - Një studente e Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Tiranës është ndaluar në pikën kufitare të Kapshticës nën akuzën e trafikut të drogës. Lajmi është bërë i ditur nga burime të policisë të cilët thanë se në makinën e studentes e cila udhëtonte së bashku me një person tjetër, është gjetur dhe është sekuestruar një sasi droge prej rreth 600 gram. Policia dyshon se droga është e llojit kokainë.
Studentja e arrestuar mësohet të jetë Aurora Liço 20-vjeç nga qyteti i Korçës, e cila udhëtonte së bashku me një person tjetër, emri i të cilit ende nuk bëhet i ditur, por që aktualisht ndodhet i shoqëruar në polici. Uniformat blu saktësuan se studentja në vitin e dytë të mjekësisë ka qenë me dokumente të rregullta greke.
Të njëjtat burime njoftojnë se makina e ndaluar në pikën kufitare të Kapshticës mbante targa të Fierit dhe po udhëtonte drejt Selanikut. Policia ka ngritur grupin e hetimit për këtë rrjet të trafikut të drogës, e cila është zbuluar në orët e mbrëmjes me destinacion Selanikun.
(Balkanweb)