E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dështojnë masat e Rrugores, shënohen edhe dy viktima

Pavarësisht masave të marra nga policia rrugore, aksidentet
me vdekje në Tiranë nuk kanë të sosur. Në triaksidente
të tjera që janë regjistruar në 24 orët e fundit
janë shënuar dy të vdekur dhe një i plagosur. Burimet
policore thanë se dje u bë arrestimi i shtetasit Gjon Gjoka, 40
vjeç, lindur në Mirditë dhe banues në Tiranë. Arrestimi i tij u
bë pasi në orën 06:30, duke drejtuar mjetin tip "Volvo", me
targa TR5488L, në Rrugën e Durrësit, përballë firmës mobilieri
"Iliria", ka aksidentuar me vdekje këmbësorin Bashkim
Haxhi, 75 vjeç. Ndërkohë, një tjetër aksident i rëndë është
shënuar pa mbërritur mesnata. Për këtë ngjarje, policia tha
se u bë arrestimi i Sami Gecës, 50 vjeç. Sipas të dhënave, në
orën 23:00, duke drejtuar automjetin tip "Benz", me targa
522KS979, në Rrugën e Durrësit, pranë pallatit të sportit
"Asllan Rusi", ka aksidentuar me vdekje këmbësorin Shkëlqim
Hazisllari, 68 vjeç. Pas aksidentit, drejtuesi i mjetit është
larguar nga vendi i ngjarjes dhe më pas është kapur nga
shërbimet e Komisariatit 6, në Unazën e Re, përballë hotel
"Roland". Ndërsa rreth orës 20:00, në Rrugën e Dibrës, pranë
bar-loto "Mania", një mjet i paidentifikuar, ka aksidentuar
këmbësoren Yrie Dragoi, 53 vjeçe, lindur në Korçë dhe banuese
në Tiranë, e cila është dërgua në SQU dhe ndodhet
jashtë rrezikut për jetën. Drejtuesi i mjetit, pas aksidentit
është larguar nga vendi i ngjarjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›