E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dështojnë negociatat e studentëve grevistë me MASH

TIRANE-Pas tetë ditësh grevë urie dhe pasi bllokuan sot hyrjen e Universitetit të Kamzës, studentët grevistë kanë mundur të komunikojnë me Ministrinë e Arsimit. Negociatat mes tyre dhe MASH nuk dolën me asnjë rezultat konkret, gjë që e tregon se studentët ende do të vazhdojnë grevën e urisë. Ministria e Arsimit dërgoi sot një përfaqësues pranë studentëve grevistë. Në takimin mes palëve ishin të pranishëm edhe drejtuesit e universitetit, por duket se negociatat kanë dështuar. Zyrtarët e ministrisë takuan dhe drejtues të universitetit por ende nuk ka një qendrim të qartë nga të gjitha palët se cfarë është biseduar dhe pse nuk është gjetur kompromisi.

Sot në mëngjes rreth orës 08.00, mbi 300 studentë kanë bllokuar hyrjen e universitetit dhe nuk kanë lejuar që studentë apo pedagogë të hyjnë në universitet për të nisur normalisht procesin mësimor.

Studentët e Agrobiznesit kanë bojkotuar mësimin dhe kërkojnë të jepet sa më parë një përgjigje mbi kërkesat e tyre, por njëkohësisht me bllokimin e hyrjes kanë penguar vijimin e procesit mësimor në të gjithë fakultetet e Universitetit të Kamzës.

Ndërkohë gjendja e 15 shokëve të tyre të futur në grevë urie sa vjen e rëndohet, sot në ditën e tetë të grevës. Mësohet se rreth orës 10.00 të paradites së sotme një nga studentët grevistë është shtruar me shpejtësi në spital në gjendje të fikti.

Protesta e studentëve që kërkojnë Diplomën e Nivelit të Dytë, pavarësisht mesatares përkrahet dhe nga prindërit e të rinjve, të cilët janë vendosur në ambientet e Universitetit Bujqësor.
Po sot paradite Dekani i Fakultetit Ekonomik-Agrobiznes, Bahri Musabelliu ka bërë një kallzim penal ndaj studentëve grevistë për uzurpim të institucionit arsimor.

Ndërkohë pranë studenteve grevistë kanë qënë sot në mbështetje të tyre dhe dhjetra studentë nga universitete të tjera të Tiranës. Ata kanë shprehur solidarizim me grevistët e urisë dhe kanë bërë thirrje që ditën e nesërme të bashkohen me ta dhe studentë të të gjitha universiteteve.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›