E Diel, 1 Nëntor 2026

Dështojnë negociatat me pronaren e ACR

Anëtarët e bordit të ACR para zyrave në Bulqizë

As pronarja e “Decometal”, Rotraut Skatch Depichc, nuk ka arritur të nënshkruajë një marrëveshje me minatorët e Bulqizës, të cilët e kanë ndalur punën në minierën më të madhe të kromit në vend prej 53 ditësh.Madje, nuk është arritur as ulja në një tryezë të përbashkët e palëve për të vënë përballë kërkesat dhe kushtet. Rreth orës 07:00, qindra minatorë janë grumbulluar para portës kryesore të ACR-së. Afro dy orë më vonë ka mbërritur lajmi se drejt Bulqizës do të udhëtojë pronarja e minierës. Pas 3 orësh mbi qytetin e Bulqizës ka fluturuar helikopteri me të cilin udhëtonte Rotraut Depichc. Minatorët kanë shpërthyer në duartrokitje dhe thirrje: “Duam të drejtat tona”. Ndërkaq, forca të shumta policore qëndronin në krye të turmës së minatorëve. Ajo që ka revoltuar minatorët që qëndronin te porta e ACR-së ishte përqafimi i pronares me administratorin e minierës Medat Zogu, madje ky gjest i saj është marrë si një provokim i hapur për minatorët që nuk punojnë prej 53 ditësh. Pak minuta pas mbërritjes, pas një takimi me drejtuesit e minierës, Depichc ka dalë para minatorëve që qëndronin të paktën 200 metra larg saj dhe u është drejtuar atyre nëpërmjet një qendre zëri të improvizuar nga administrata lokale e ACR-së. Ajo u ka kërkuar minatorëve të caktonin një përfaqësi prej katër minatorësh. Në këto momente, minatorët thërrisnin: “Largoni hajdutët”, “Largoni servilët”, “Duam punë”, “Duam paga e kushte pune”. Kushti i vënë nga Depichc, që asnjëri nga minatorët që duhet të ishte në tavolinën e saj për bisedime nuk duhet të ishte i ndjekur penalisht, ka indinjuar minatorët. “Ne të gjithë jemi në ndjekje penale, sepse drejtori i minierës, Medat Zogu, ka bërë kallëzim penal për gjithë këshillin sindikal, komisionin e grevës dhe disa minatorë aktivë. Atëherë me kë duhet të takohet pronarja?”, tha kryetari i këshillit sindikal, Dilaver Përkoxha. “Pas Kol Nikollajt tani u shpallën persona “non grata” edhe shumë minatorë të tjerë”. Kaluan disa orë dhe minatorët nuk pranuan të ulen në bisedime me pronaren e ACR-së, pasi kushtet e vëna nga ana e saj u konsideruan të padrejta. E shqetësuar se as ajo nuk po arrinte një marrëveshje me

Pronarja e Decometal, duke u takuar me drejtorin e minierës, Medat Zogu

minatorët, Depichc ka dalë përsëri para minatorëve, duke bërë një tjetër thirrje për bisedime. “Ne, – tha ajo, duam të bisedojmë me punëtorë të thjeshtë, por jo me ata që kanë dhunuar administratorët e ACR-së. Jemi të gatshëm të kryejmë punimet e thellësisë dhe të zgjidhim ato kërkesa që kemi deklaruar”. Kjo thirrje e dytë ka vënë në lëvizje komisionin e protestës, të cilët kanë vendosur që dy nga minatorët të takohen me zonjën e ardhur nga Austria. Baki Bajraktari e Agron Basha, dy nga të përzgjedhurit nga minatorët, janë lejuar të kalojnë kordonët e policisë dhe janë ngjitur në katin e dytë të zyrave të ACR-së Bulqizë. Pak pa mbërritur para zyrës së drejtorit Medat Zogu, atyre u është thënë: “Ju jeni në ndjekje penale dhe nuk mund të takoheni me zonjën Depichc”. Kaq ka mjaftuar që Basha dhe Bajraktari të largohen nga mjediset e ACR-së dhe të rikthehen te kolegët e tyre, pranë portës ku ishin tubuar qindra minatorë. Kjo ka sjellë pështjellim më të madh në radhët e minatorëve. Kreu i Sindikatës, Kol Nikollaj, deklaroi se asnjë minator nuk ndiqet penalisht. I pyetur nga gazeta dhe drejtori i policisë së Dibrës pohoi se nuk ka asnjë të proceduar penalisht prej minatorëve, ndërsa nga ana tjetër shtoi se asnjë nuk do të lejohet të bllokojë rrugët nacionale.

Depichc: I presim minatorët, pa Nikollajn e Kolecin

Para largimit nga miniera e kromit Bulqizë, Depichc ka dhënë një konferencë për shtyp për gazetarët që ndiqnin zhvillimet e djeshme në qytetin e minatorëve. Ajo është shprehur se kompania është e gatshme të zgjidhë disa nga kërkesat e minatorëve, si rritja e pagës 20 për qind, përmirësimi i kushteve të punës dhe thellimi i pusit, ndërkohë nuk ka përmendur largimin e administratorit të minierës, Medat Zogu. Depichc ka ritheksuar se është e gatshme të ulet në bisedime me minatorët, por pa praninë e kryesindikalistit Kol Nikollaj e minatorët që janë kallëzuar në polici e prokurori. Ndërsa deklaroi se ACR nuk do të marrë asnjë masë ndëshkuese për pjesëmarrësit në grevën e paligjshme, si dhe do të shohë mundësinë e një trajtimi financiar për familjet e minatorëve me rastin e muajit të Ramazanit. Nga ana e kompanisë u është bërë thirrje minatorëve të distancohen nga Kol Nikollaj dhe Taf Koleci, duke i cilësuar njerëz të papërgjegjshëm. “ACR është e gatshme të presë secilin nga minatorët në çdo moment për të zgjidhur problemet dhe shqetësimet e tyre”.

Përkoxha: ACR do në tryezë një shurdh, një qorr dhe një memec

Dilaver Përkoxha, kryetar i këshillit sindikal të minatorëve tha dje se ACR nuk dëshiron t’i zgjidhë kërkesat e minatorëve. “Nuk është faji i Depichc që kërkesat tona nuk hyjnë në rrugën e zgjidhjes. Janë hajdutët dhe servilët që e mashtrojnë atë. Disa janë në Tiranë dhe të tjerë në Bulqizë. Është e pamundur të plotësojmë kushtet e saj. Ajo do në bisedime një minator që nuk dëgjon, një që nuk sheh dhe një që nuk flet, pra një shurdh, një qorr dhe një memec. A mund të pranohet një gjë e tillë? Ne nuk do të dorëzohemi deri në fund. Depichc na uroi për Bajram, por mbi 700 minatorë dhe familjarët e tyre nuk kanë mundësi ta festojnë atë. Zoti do t’i ndëshkojë ata që po veprojnë kështu me minatorët. Çdo afat që kishim lënë për zgjidhjen e kërkesave tona ka mbaruar. Të hënën ne do të mendojmë për të rinisur një tjetër grevë urie, kuptohet në mjediset e ACR-së. 20 minatorë kanë regjistruar emrat. Do të hyjmë ose në zyrat e minierës, ose do të ngremë në pjacale çadrat tona. Jemi më të vendosur se kurrë për të vijuar lëvizjen tonë sindikaliste”.

Te dhunuarit

Minatorët e dhunuar dy ditë më parë janë kthyer dje në mesditë pranë familjeve të tyre. Të shoqëruar nga kolegët e tyre minatorë, kanë mbërritur pranë fëmijëve të tyre. Mjekët janë shprehur se gjendja shëndetësore e Dashamir Nezirit, Rifat Sallakut dhe Arif Xhiveshit ishte më e mirë dhe se mund ta trajtohen dhe në shtëpi. Mësohet se këshilli sindikal dhe vetë minatorët e dhunuar kanë bërë një kallëzim ndaj Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, duke i akuzuar ato për dhunë dhe tejkalim kompetencash.

BULQIZE/ HASAN PASHA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›