E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dështojnë negociatat për Presidentin e ri

Krerët e grupeve parlamentare të Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste zhvilluan përreth një orë bisedime në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë, por palët jo vetëm që dolën me një deklaratë të përbashkët, por demokratët shprehën zhgënjimi e tyre të thellë.

Kreu u grupit socialist, Gramoz Ruçi, tha se i kishte propozuar mazhorancës që të zhvillohet një tryezë me të gjitha partitë parlamentare. “Siç e keni ndjekur mbrëmë Rona e radhiti Shqipërinë në vend të pestë. Klasa politike e ka radhitur Shqipërinë në vend të fundit. Studentët janë në sezon provimesh dhe 99% e tyre i marrin ato, që në sezonin e parë. Klasa politike ka sezonin e tretë të saj këtë vit. Parë në këtë këndvështrim besoj se e kuptoni që e kam fjalën për mosmarrjen e statusit, nga Shqipëria, të vendit kandidat ku partnerët tanë ndërkombëtarë na kanë vënë disa kushte. Për të plotësuar, pikërisht, këto rekomandime dhe këto kushte që ne mos të ngelemi për herë të tretë në klasë në provimin e Bashkimit Europian, Partia Socialiste sot me të mandatuarit e saj i propozoi përfaqësuesve të Partisë Demokratike, të mandatuarve të saj, një propozim konkret, i cili konsiston në atë që të thirret një tryezë e të gjithë krerëve të partive parlamentare, në të cilën të finalizohen 4 çështje”, theksoi Ruçi.

Katër pikat janë: finalizimi dhe miratimi në Parlament i reformës zgjedhore, ai saj parlamentare, formulimin dhe miratimin e një ligji për heqjen e imunitetit të të gjithë zyrtarëve si dhe zgjedhjen e Presidentit të ri të vendit. Ruçi tha se Presidenti i ri duhet të miratohet qysh në raundin e parë dhe të jetë i gjithëpranuar. “Ky ishte propozimi i PS-së. shpresoj që mazhoranca të vlerësojë këtë propozim. Ajo që ne kërkojmë është që dhurata e munguar dhe për shkak të 100 vjetorit të Pavarësisë, t’i japim vendit statusin kandidat”, shtoi ai.

Palët nuk kanë ende një emër konkret për Presidentin e ri, teksa e mërkura për votimin e parë po afron. “Besoj që jemi larg emrit tashmë. Unë po flas për një dakordësi. Unë po flas për një tryezë të krerëve të partive parlamentare për të zgjidhur 4 çështje themelore që ka Shqipëria. Nuk është hera e parë. Ka precedentë, ka përvojë klasa politike shqiptare. Dhe kur flasim për një president konsensual kjo gjendet me negociata në tavolinë, pasi siç e kam deklaruar edhe herë tjetër çështja e presidentit është një proces shumëdimensional, sa është kushtetues, është procedural dhe parlamentar, është politik dhe moral. Nëqoftëse këtij procesi procedural dhe kushtetues duhet t'i paraprijë një proces serioz, i pjekur dhe i matur politik dhe moral sigurisht gjenden formulimet”, vijoi Ruçi.

Demokratët e konsideruan një takim të dështuar takimin e sotëm me përfaqësuesit e Partisë Socialiste. Kreu i grupit demokrat, Astrit Patozi, tha se propozimet e bëra nga Partia Socialiste, kanë qëllime bllokuese, duke nënvizuar se tre pikat e tjera të propozimit nuk kanë lidhje me zgjedhjen e kreut të ri të Shtetit.

“Ne kishim shkuar në tryezë me mandatin e kryesisë të Partisë Demokratike për të negociuar lidhur me zgjedhjen e Presidentit të Republikës ndërkohë që pala tjetër kishte ardhur në takim me platformën e Editorialit të kryetarit të partisë së tyre z. Edi Rama, e cila është një platformë bllokuese për ta futur në rrugë pa krye procesin dhe për të lidhur të palidhshmen. U përpoqëm t’i shpjegojmë përfaqësuesve të Partisë Socialiste që Partia Demokratike si forca kryesore e mazhorancës është futur në këtë proces jo për të ndjekur rrugën e shkurtër, por ne kemi hyrë në këtë proces për t’i dhënë vendit një President sa më gjithëpërfshirës dhe sa më konsensual duke pasur parasysh edhe vlerën e shtuar që ai mund të ketë në një rast të tillë. Por ndërkohë u kemi bërë të qartë përfaqësuesve të Partisë Socialiste që në rast se edhe ata do të kenë të njëjtin intension si ne është plotësisht e mundur që ne të arrijmë në një produkt dinjitoz. Pra, një President sa më konsensual. Por në rast se ata kanë intensione të tjera për të rrëzuar qeverinë dhe gjëra të kësaj natyre sic i ka paralajmëruar edhe z. Rama në editorialin e tij sigurisht ky është një mision tërësisht i dështuar”, tha Patozi pas takimit.

Ai shtoi se Partia Demokratike pavarësisht këtij qëndrimi të opozitës, do ta mbajë të hapur portën e dialogut “me shpresën që ne ende kemi mundësi për ti dhënë vendit një president sa më konsensual. Por sigurisht kjo nuk mund të bëhet as përmes ultimatumeve e as përmes kurtheve ballkanike tipike për editorialin e Edi Ramës”.

Pyetjes nëse takimi i sotëm ishte i dështuar, Patozi u përgjigj shkurt: “Sot për fat të keq po”. Ai shtoi se katër pikat e propozuara nga Partia Socialiste, nuk i shërbejnë zgjidhjes së çështjes së Presidentit. “Së pari duhet të shpjegoj se janë të palidhura tre pikat e tjera me çështjen e zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Ne kemi prirjen absolute për ti zgjidhur të gjitha ato pika. Madje mund ti kishim zgjidhur edhe më parë në rast se nuk do të ekzistonte politika bllokuese e Edi Ramës e cila qëllimisht kërkon të lidhi reformat e integrim it, çështjen e imunitetit për të cilën Partia Demokratike ia ka bërë thirrje që kur ishte në opozitë por ka qenë mungesë e vullnetit të tij që e ka mbajtur peng me zgjedhjen e Presidentit të Republikës”, vijoi. /S.Lleshi/Start/

                                                                                             2012-05-27 13:03
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›