E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dështojnë pazaret e PD-së në blerjen e deputetëve të PS-së

Katër ditë negociata të ethshme me deputetë të PS-së. Shifra marramendëse që kapin vlerën e 2 milionë eurove

Fill pas njohjes me rezultatet paraprake, të cilat nuk ishin aq të favorshme për PD-në për të krijuar e vetme qeverinë e re, eksponentë të kësaj partie kanë nisur negociatat me palën tjetër për të “blerë” deputetë. Burimet bëjnë të ditur se drejtues të selisë blu kanë zhvilluar negociata të ethshme për katër ditë radhazi me deputetë të PS-së dhe LSI-së deri në pohimin publik të LSI-së për bashkëqeverisje. Ndërkaq, sipas burimeve, pazari i blerjes së deputetëve të majtë në mungesën e një koalicioni qeverisës ka kapur shifra marramendëse parash. Berishës i duheshin me çdo kusht të paktën 2 deputetë të PS-së apo të LSI-së, çfarëdolloj partie qofshin, që të kalonin me PD-në, në mënyrë që kjo forcë politike të fitonte të drejtën e qeverisjes së vendit dhe për katër vitet e ardhshme. Ndaj dhe oferta financiare ka qenë e majme, duke e rritur pazarin e “shitblerjes” së deputetëve, i njohur tashmë në Kuvendin shqiptar, deri në shifrën e 2 milionë eurove për të tradhtuar partinë.
Oferta
Burimet bëjnë të ditur se oferta nuk i ka ardhur në mënyrë të drejtpërdrejtë. Kështu, drejtuesit e PD-së janë treguar me takt në ofrimin e marrëveshjes financiare. Ata kanë zgjedhur si ndërmjetës me deputetin “rozë” një person shumë të afërt me të dhe që ka lidhje si me PD-në, ashtu dhe me PS-në. Ndërkaq, oferta ka qenë mjaft tunduese. “Sa kërkon që të kalosh me PD-në?” - bëjnë të ditur burimet. Në një moment pazari ka kapur shifrën e 2 milionë eurove. Për një pazar të tillë në shënjestër janë vënë kryesisht deputetët e rinj, ata që nuk janë sprovuar në skenën e politikës dhe që mendohej se mund të tradhtonin idealet e politikës. Por, sipas burimeve, në shumicën e rasteve kreu i PS-së ka rënë në gjurmë të këtyre kontakteve të deputetëve të tij me eksponentë të së djathtës dhe ka ndërhyrë për të vënë pikat mbi “i”.
Dështimi
Burimet bëjnë të ditur se të tilla pazare kanë dështuar. Kjo për faktin se deputetët e rinj që kanë qenë në qendër të korruptimit nga ana e PD-së janë njerëz të afërt të Edi Ramës, që janë zgjedhur prej tij dhe që i është hapur rruga e karrierës politike pikërisht nga Rama. Këta njerëz kanë refuzuar ofertat e majme financiare të Berishës, pasi sipas burimeve të informacionit, këta besojnë te politika e ndjekur nga Rama dhe se për ta është i pamundur bashkëpunimi me Berishën. Për momentin duket se pazarit të shitblerjes së deputetëve i vuri kapakun bashkëpunimi i LSI-së me PD-në, por pritet që të tilla akte të ndodhin në vitet në vazhdim për shkak të brishtësisë së maxhorancës së djathtë.

6 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›