Berisha fton publikisht Metën në qeverinë e re të PD-së
Kryeministri deklaron se LSI-ja ka pika të përbashkëta programore me PD-në. “Kjo parti, në dy zgjedhjet e fundit, ka qenë objekt real i një persekutimi të pamerituar”
Eljona Ballhysa
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ftoi dje kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, që të bëhet pjesë e qeverisë së re të PD-së. Në një konferencë për shtyp të mbajtur dje në mesditë në selinë blu, Berisha deklaroi ftesën publike për bashkëpunimin me Metën, ndërsa vlerësoi se këto dy parti i bashkojnë pikat e njëjta programore. Ndërkaq, Berisha e akuzoi Ramën se në dy zgjedhjet e fundit e ka persekutuar ligjërisht LSI-në, duke nënkuptuar ndryshimet në Kushtetutë dhe në Kodin Zgjedhor, të cilat u miratuan pas konsensusit PD-PS.
Ftesa
“Jam këtu për të ftuar publikisht Lëvizjen Socialiste për Integrim për të krijuar së bashku një qeveri të re që do të mund ta quanim qeveri e integrimit të vendit në Bashkimin Europian. Siç deklarova dy ditë më parë, sovrani na dhuroi fitoren, por diktoi koalicion. Nga partitë me të cilat programet janë më afër është LSI-ja. LSI-ja në programin e saj ka si yll polar integrimin e Shqipërisë në BE. LSI-ja në programin e saj ka punësimin si kryefjalë të reformave dhe përpjekjeve të saj. LSI-në e ftoj gjithashtu me bindjen time se kjo nuk ka të bëjë me shifrat në Parlament, por ka të bëjë me faktin se ajo është një përfaqësuese dinjitoze e spektrit të majtë. Në këtë kontekst shpreh kënaqësinë që atyre rreth 47% të votave që sovrani i ka dhënë koalicionit të parë, u shtohen tani edhe rreth 6% të votave, tërësisht të spektrit të majtë dhe faktikisht ky koalicion fiton një bazë elektorale edhe më të gjerë sesa koalicioni që ishte 4 vitet e shkuara”, - është shprehur kreu i PD-së.
Berisha i është përgjigjur “jo” pyetjes nëse për hir të bashkëqeverisjes do t’ia linte Metës postin e kryeministrit për një periudhë 2-vjeçare. Berisha është shprehur se shqiptarët me votën e tyre tashmë e kanë zgjedhur kryeministrin. “Jam i bindur se koalicioni nuk funksionon në atë mënyrë. Jam i sigurt se koalicionet janë transparente. Shqiptarët kanë Sali Berishën njeriun më të votuar, e kanë pasur gjithnjë kështu. Pra kjo nuk është vetëm se mirënjohje e imja ndaj tyre, nuk mund t’i qortoj pse më votojnë mua në këtë shkallë”, - është shprehur Berisha, i cili nuk ka dhënë detaje për ndarjen e posteve në kabinetin e ri qeveritar. Ai është shprehur se ky nuk është koalicion pazar karrigesh, por është një koalicion integrimi.
Berisha më tej ka dhënë argumente se bashkëpunimi i PD-së dhe LSI-në i jep vendit qeverisje të qëndrueshme për 4 vitet e ardhshme. “Përfshirja e LSI-së ka disa arsye madhore: tejkalon 50%, krijon bazën morale dhe ligjore të plotë për të qeverisur, ka pika të përbashkëta programore. Jo rastësisht z. Meta ishte vendosur në krye të Komisionit Parlamentar të Integrimit. Ky është, të jemi realist, varianti më i përshtatshëm për vendin sepse në këtë mënyrë do të ketë një qeveri solide, eficiente, të fortë dhe do të ketë një opozitë gjithashtu solide”, - është shprehur kreu i PD-së.
Akuzat ndaj Ramës
Pavarësisht se ishte Berisha ai që firmosi bashkë me Ramën ndryshimet në Kushtetutë, ndryshimin e Kodit Zgjedhor që sollën dhe ndryshimin e sistemit zgjedhor që penalizoi LSI-në këto zgjedhje, ai ia ngarkoi të gjithë përgjegjësinë për këto veprime kundërshtarit të tij politik, Edi Rama. “Në fakt kjo parti, siç e di çdo shqiptar, në dy zgjedhjet e fundit ka qenë objekt real i një persekutimi të pamerituar ligjor, i një trysnie jodemokratike. Fatmirësisht aspak të lidhura me Partinë Demokratike, e cila është parti që nuk i bazon qëndrimet e saj në eliminime dhe trysnira, por në qëndrime ligjore dhe parimore. Nuk jemi ne që e dëmtuam LSI-në përmes “Dushkut” në 2005-n. Nuk jemi ne që imponuam grevën e urisë. Jeni dëshmitarë që kam bërë thirrje të përsëritur në atë periudhë, që të gjendet gjuha e përfshirjes dhe jo e përjashtimit”, - është shprehur Berisha.
Berisha e uron Ramën për ditëlindje për më shumë rini
Kryeministri Berisha nuk ka harruar dje të urojë kreun e Partisë Socialiste me rastin e 45-vjetorit të lindjes së tij. I pyetur nga mediat se cili është urimi i tij për Ramën për rastin e ditëlindjes, Berisha nuk ka hezituar që nëpërmjet urimit të ironizojë kreun e PS-së. “Edi Ramës i uroj gëzuar ditëlindjen. Uroj që vitet që vijnë t’i sjellin më shumë rini”, - është shprehur kreu i PD-së, Sali Berisha. Kryesocialisti Rama mbushi dje 45 vjeç. Ndërsa kundërshtari i tij politik Sali Berisha është 64 vjeç.
6 Korrik 2009