Lonçareviç, i “sëmurë” nga mbrojtja
Kampionia e Shqipërisë, Tirana, vazhdon përgatitjet në Ohër të Maqedonisë, në kuadër të sfidës së Ligës së Kampioneve, ku në turin e parë eliminator do të përabllet me norvegjezët e Stabekut. Në ndeshjen e parë miqësore, Tirana fitoi 6-0 me Vllaznimin e Kosovës (2 gola Xhafa, dhe nga një gol Sefa, Muka, Sorra dhe Abilialiaj). Trajneri i Tiranës, Ilija Lonçareviç, mbajti në atë takim për 90 minuta në qëndër të mbrojtjes, Tefik Osmanin, me synimin për ta parë formën e korçarit. Pikërisht, ky vëzhgim duket se nuk e ka bindur plotësisht teknikun kroat, i cili i kërkoi kryedonatorit të bardheblube, Refik Halilit, dy përforcime në zëmrën e repartit defensiv. “Kam nevojë më shumë për dy qendërmbrojtës sesa një mesfushor e një sulmues”, - tha Lonçareviç nga grumbullimi në Ohër të Maqedonisë. Sezonin e kaluar, Tirana pati një figurë karizmatike e të sigurt në qëndër të mbrojtjes, kroatin Toni Pezo, por pas mosgjetjes së akordit me bardheblutë, 22-vjeçari i huazuar nga Hajduku i Splitit, është duke kërkuar një sistemim të ri te Kribasi në Ukrainë.
Kroati Igor Gal, 26 vjeç, një futbollist i formuar në skuadrën kroat Slaven Belupo (2003-2006) dhe i transferuar më pas te Hajduku i Splitit, ishte qysh të enjten nën urdhrat e Lonçareviçit, ndërkohë që pas një lajmi të parathënë, ardhja e një mbrojtësi afrikan me pasaportë franceze, të rekomanduar nga mesfushori francez, Laurent Mohelebi, u anulua. Gal do të testohet në miqësoren me Rabotniçkin, ku më pas do të merret edhe vendimi përfundimtar nëse do të jetë në dispozicion të 24-herë kampionëve të Shqipërisë apo jo. Pak ditë më parë, nuk e kaloi provën mbrojtësi kroat 33-vjeçar Bruno Raiç. Tiranë përballë Stabekut do të vuajë mungesën e goleadorit Migen Memellit. Fituesi i “Këpucës së artë” i sezonit të kalaur është ende në rikuperim e sipër pas ndërhyrjes për muskujt e barkut në Belgjikë.
Toni Pezo, në provë me Krivbasin
Toni Pezo, ish-lojtari i Tiranës gjatë sezonit të kaluar është duke u testuar në Ukrainë me skuadrën e Krivbasit. 22-vjeçari i menaxhuar nga agjenti shqiptar i FIFA-s, Sokol Haxhia, tani po testohet në Ukrainë. Krivbasi i ka bërë një ofertë 22-vjeçarit dhe ai mund të transferohet shumë shpejt atje. Tek Krivbasi kroati do të gjejë shokun e skuadrës te Tirana, Ansi Agollin, por tre shqiptarët e tjerë, Hidi, Bulku dhe Dorian Bylykbashin për të krijuar një koloni me lojtarë që janë aktivizuar në kampionatin shqiptar. Pezo është një futbollist i Hajdukut të Splitit, por nënkampionët e Kroacisë e kanë lënë të lirë edhe për një vit tjetër 22-vjeçarin për tu transferuar me formulë huazimi.
4 Korrik 2009