Vasili: “Rama të na kërkojë falje, na grabiti 12 mandate”
Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, ka reaguar menjëherë pas deklaratave të kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama. Vasili tha se Edi Rama duhet t’i kërkojë të falur LSI-së, pasi me Kodin që ai propozoi dhe me manipulimet që bënë komisionerët e PS-së, LSI-ja humbi në mënyrë të padrejtë 12 mandate. “Sot është dita kur Edi Rama do të duhej të reflektonte dhe të kërkonte ndjesë për fajin fatal për Kodin Zgjedhor antiopozitar që ai bëri me qëllimin e vetëm për të asgjësuar LSI-në dhe që i humbi opozitës së paku 12 mandate, shumica e të cilave i përkisnin LSI-së, si dhe për mijëra vota opozitare, të cilat vajtën dëm për shkak të formulave të liga. Opinioni publik duhet ta dijë se deri dje Edi Rama i çonte emisarë Ilir Metës për t’u bërë kryeministër i vendit duke blerë deputetë nga e djathta, duke mos u çliruar dot nga filozofia e trafikimit të votave dhe njerëzve, filozofi e cila ishte edhe baza e mekanizmit mafioz dhe policesk manipulativ të tij në dëm të mijëra e mijëra votave të LSI-së, ai dështoi edhe në tentativën e ndërtimit të një qeverie PS–PD që do të destabilizonte thellë vendin dhe do ta zhyste atë në krizë të thellë politike, ekonomike dhe sociale, dhe doli më pas nën trysninë e dështimit që të hidhte baltë dhe mllef mbi marrëveshjen parimore dhe kushtetuese ndërmjet LSI-së dhe PD-së”, - tha Vasili.
6 Korrik 2009