E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dështojnë reformat, skadon sot afati i përcaktuar nga Fyle

Komisioni i Reformës Zgjedhore

Me nisjen e procedurave kushtetuese për Presidentin e ri të Republikës, shtyhen të dyja reformat, ajo zgjedhore dhe parlamentare. Sot ishte afati i fundit për të cilin palët duhet të kishin gjetur zgjidhjet për pikat e nxehta të reformës zgjedhore dhe asaj parlamentare. Por asnjë konsultë apo negociatë nuk është zhvilluar ditët e fundit, pasi Kryeministri dhe shefi i tij i kabinetit ishin në Çikago në samitin e NATO-s. Ishte Komisioneri për Zgjerim, Stefan Fyle, i cili i kërkoi politikës shqiptare përfundimin e të dy reformave brenda datës 24 maj, para nisjes së procedurave për zgjedhjen e Presidentit. Sot pritet që kreu i maxhorancës parlamentare të nisë menjëherë takimet e tij brenda koalicionit me partitë e tij parlamentare për Presidentin e ri. Ndërsa pritet me shumë gjasa që po sot edhe kryetarja e Parlamentit të mbledhë konferencën e kryetarëve, ku të miratojë nisjen e procedurave parlamentare për zgjedhjen e Presidentit. Pritet që në këtë mbledhje të caktohen datat kur do të fillojë votimi. Burime nga Parlamenti pohuan se Konferenca e Kryetarëve mund të mblidhet edhe para nisjes së seancës parlamentare të së enjtes. Reforma zgjedhore mbetet pa zgjidhje sa i takon anëtarit të shtatë të KQZ-së. Partia Demokratike kërkon të mbajë formulën aktuale të zgjedhjes së anëtarëve të këtij Komisioni, ndërsa socialistët kërkojnë që anëtari i shtatë të propozohet nga institucionet e pavarura të drejtësisë ose nga Presidenti dhe kandidaturat alternative të votohen në Kuvend. Por palët duket se kanë rënë dakord për numërimin elektronik të votave, që ai të aplikohet pjesërisht në disa qytete kryesore në zgjedhjet e 2013-s.

Meta: Të mbyllen reformat
Ilir Meta u shpreh pak ditë më parë nga Korça se zgjedhja e Presidentit ka lidhje më shumë me realizimin e reformave integruese të vendit. Duke parë me shqetësim vonesat në reformat integruese, Meta u bën apel faktorëve politikë që të përfundojnë në kohë dy reformat kryesore, atë zgjedhore dhe parlamentare, si afate të vendosura dhe nga Komisioni Europian, që është 24 maji.

Stefan Fyle
Finalizimi i reformës zgjedhore dhe asaj parlamentare në kohë është shumë i rëndësishëm. Ne jemi të shqetësuar se këto reforma nuk janë përmbushur brenda afateve. Siç thashë edhe në Tiranë, gjatë vizitës sime në fillim të muajit maj, është shumë e rëndësishme që marrëveshja e nëntorit të finalizohet para se të nisë procedura për zgjedhjen e Presidentit, më 24 maj, u shpreh Fyle në Bruksel.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›