E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni i jashtëm kalon draftin e PS për kufijtë

Komisioni i Politikës së Jashtme

Komisioni parlamentar i Politikës së Jashtme ka miratuar dje pas debateve, projektligjin Për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit shtetëror. Deputetët e opozitës në Komision kanë kundërshtar draftin e qeverisë, që përbëhet vetëm nga një pikë e vetme, që parashikon rikthimin në fuqi të nenit 3 të ligjit të vitit 2001, i cili ishte shfuqizuar në vitin 2008. Deputeti i PS-së, Qemal Minxhozi, ironizoi dje qëndrimin e maxhorancës, që në vitin 2008 shfuqizoi ligjin e kufijve dhe pas disa vitesh i rikthehet fuqizimit të një neni të vitit 2001. Anëtari i Komisionit të Ligjeve, Kastriot Islami, theksoi se logjika e përdorur në këtë ligj është konfuze. Kemi përdorur një logjikë në 2008-n, që ligji i 2001-shit në kushtet e reja duhej amenduar. Dhe, në këtë rast, amendimi do të thotë të shfuqizohet. Tani vijmë në 2012-n dhe themi, meqenëse bëmë një marrëveshje, ku ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe na rezultoi një debat me një çështje delikate, atëherë le ti kthehemi dhe njëherë dhe ta pasqyrojmë atë që ishte në 2001-shin, pohoi Islami. Ndërkohë, kryetari i Komisionit të Jashtëm, Fatos Beja, ka mbrojtur nismën e vitit 2008. Ligji i 2001-shit merrej vetëm me një aspekt, dhe është një ligj që ka gjithsej 7 nene. Ndërsa, ligji i 2008-s, që është një ligj i plotë, ka 54 nene. Dhe me këtë ligj të plotë mbulojmë të gjitha ato problematika që ka kufiri shtetëror, dhe u vë detyrime institucioneve përkatëse për këta kufij. Dhe ky ligj i plotë e shfuqizon automatikisht ligjin e 2001-shit, theksoi Beja.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›