E Diel, 1 Nëntor 2026

Dështojnë sërish bisedimet me pronaren e ACR-së, greva vazhdon

BULQIZË Ka patur zhvillime të reja dje në qytetin e Bulqizës. Ka mbërritur pronarja e Decometal si dhe kanë lënë spitalin tre minatorët e dhunuar nga policia. Rreth orës 10.00 minatorët e tubuar para portës së ACR-së Bulqizë janë gëzuar kur kanë parë në qiell helikopterin që po dërgonte në minierën e tyre pronaren austriake Rotraut Skatch Depichc.

Takimi

Fillimisht ajo është takuar me administratën e minierës dhe më pas ka dalë dy herë para minatorëve, duke komunikuar me qendër zëri, pasi ajo dhe turma e minatorëve ishin larg njëri-tjetrit mbi 150 metra. Minatorët qëndronin jashtë portës kryesore të ACR-së, sepse policia nuk lejon që drejtuesit sindikalistë Kol Nikollaj e Taf Koleci të hyjnë në mjediset e ACR-së. Pa mbërritur ende Depichc, mjediset e minierës janë blinduar nga forca të shumta policore, si ato të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe efektivat e Drejtorisë së Policisë Qarkut Dibër. Në të dyja daljet e saj pronarja e ACR-së ka kërkuar që të ulet në bisedime me katër minatorë, duke e kushtëzuar këtë me mospraninë e atyre të komisionit të grevës apo këshillin sindikal, si dhe të mos jenë në ndjekje penale. Të dyja kushtet janë konsideruar diskriminuese nga minatorët. Kol Nikollaj, president i Konfederatës së Sindikatave të vendit, ka zhvilluar një mbledhje urgjente me strukturat e sindikatës dhe komisionin e protestës dhe në përfundim kanë rënë dakord të mos pranojnë kushtin e vënë që takimi të zhvillohet me minatorë të thjeshtë dhe për shmangien e sindikalistëve nga bisedimet. Sipas Nikollajt, janë përfaqësuesit e ACR-së ata që kanë kallëzuar minatorët më aktivë dhe tani nuk i lejojnë në bisedime. “Ne nuk mund të pranojmë gjithçka u vjen për mbarë drejtuesve apo përfaqësuesve të ACR-së. Minatorët e kanë ndalur punën që më 4 korrik të këtij viti. Kompania dhe strukturat shtetërore kanë patur gjithë kohën e mjaftueshme për të zgjidhur kërkesat e minatorëve. Nuk ekziston dëshira e mirë për t’i zgjidhur këto kërkesa, ndaj është ndërlikuar kaq keq puna në minierën e Bulqizës. Janë disa servilë dhe mashtrues që ia relatojnë krejt ndryshe situatën zonjës Depichc”-deklaroi Nikollaj për “Mapo”-n. Teksa pronarja austriake mbante fjalim nga godina e ACR-së Bulqizë me mikrofon dhe qendër zëri, nga ana tjetër minatorët kishin siguruar një megafon dhe thërrisnin: “Duam të drejtat tona”, “Largoni hajdutët e servilët nga miniera”.

Ndërmjetësi

Në mesditë nënkryetari i Bashkisë Bulqizë, Agim Perhati, është përpjekur të jetë ai negociatori mes minatorëve dhe firmës ACR. Pasi ka hyrë e dalë disa herë nga mjediset e minierës, është detyruar të largohet pa realizuar synimin e tij. Minatorët thanë se pika kryesore e negocimit të tij ishte moslargimi i administratorit të minierës, Medat Zogu, gjë që nuk është pranuar nga minatorët. Në orën 16.30, pak minuta para largimit nga Bulqiza, pronarja e kompanisë ka dalë në një konferencë shtypi. Ajo ka deklaruar se ACR është e gatshme të rrisë pagat 20 për qind, të bëjë investime për të rritur kushtet e punës, si dhe të thellojë pusin kryesor. Ajo ka përsëritur deklaratën e mëparshme, se nuk ulet në bisedime dhe nuk nënshkruan marrëveshje me Kol Nikollajn dhe sindikalistët që kanë dhunuar zyrtarët e ACR-së, në Tiranë apo Bulqizë. Ndërkaq tre minatorët e dhunuar nga policia kanë lënë dje spitalin lokal dhe kanë mbërritur në familjet e tyre. Burime jo zyrtare thanë se Konfederata e Sindikatave dhe vetë minatorët e rrahur nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe Policia e Dibrës do të kallëzohen në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Dibër. PAJTIM HASA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›