Vdes foshnja 11-muajshe, prokuroria nis hetimin për mjekët
Prindërit e vajzës: Mjekja pediatre nuk na dha mjekimin e duhur dhe i ka dhënë dozë ilaçesh të gabuar, prandaj kërkojmë hetimin e saj
DURRËS Prindërit e një foshnjeje 11-muajshe, e cila ka humbur jetën në rrethana ende të panjohura, kanë denoncuar ditën e djeshme në prokurorinë e Durrësit mjekët e spitalit të këtij qyteti për moskujdes dhe mos dhënien e mjekimeve të duhura në kohë. Denoncimi ka sjellë edhe nisjen e hetimeve, ndërsa trupi i vogëlushes 11-muajshe do i nënshtrohet ekzaminimit mjeko-ligjor. Ngjarja e rëndë për çiftin Xhangolli ka ndodhur tri ditë më parë, ndërsa ata kanë kërkuar vënien përpara përgjegjësisë të mjekëve. Sipas burimeve të policisë mësohet se vajza e çifti Xhangolli humbi jetën në Spitalin Ushtarak në Tiranë, për shkaqe ende të panjohura. Vogëlushja e çiftit Xhangoli ishte dërguar fillimisht në pediatrinë e Durrësit, më pas ishte urdhëruar të sillej në Spital Ushtarak në Tiranë, por ajo nuk arrit dot të mbërrinte e gjallë për të marrë mjekimin e specializuar.
Akuza
Prindërit akuzojnë mjekët për vdekjen e vajzës dhe kërkojnë drejtësi. Adriana dhe Kosta tregojnë se mëngjesin e 24 qershorit kishin dërguar të miturën në spital në gjendje të rëndë. "Kur vajta në spital doktoresha më priti shumë ashpër. Më kërkoi librezën e shëndetësisë, të cilën s’e kisha me vete, pasi po kthehesha nga Gramshi. Më pas më kërkoi rekomandimin nga mjeku i lagjes. I thashë që isha për urgjencë, po të ishte për mjekun e lagjes e çoja atje. Fillimisht i bëri një serum, dhe goca u qetësua. Piu dhe gjoks. Më pas më dha një recetë me ilaçe për mjekim në shtëpi, duke shtuar se, nëse vajza nuk do shërohej, duhej shtruar në spital."- tregon e ëma e vogëlushes. Çifti ishte kthyer në shtëpi, por pasdite shëndeti i gocës ishte përkeqësuar dhe ata ishin kthyer sërish në spital.
Nëna e vogëlushes vazhdon rrëfimin e momenteve kur mjekët ishin mbledhur për konsultë dhe shefi i pavijonit i kishte thënë doktoreshës se i kishte dhënë dozë të gabuar vajzës, e cila ishte dërguar sërish në spital në gjendje të rëndë dhe më pas ata na kërkuan që ta çonim për në Tiranë, por vajza ka dhënë shpirt rrugës, ka pohuar Adriana. Po kështu edhe babai i vogëlushes kërkon: “Doktori e mban përgjegjësinë. Kur e shikon që fëmija është i sëmurë nuk duhet të më përzërë. E kisha gocën 11 muaj dhe 2 ditë, por ajo do më rronte 120 vjet dhe unë nuk ngopem me burgun e asaj”, ka vijuar Kosta. Ndërsa shefi i pediatrisë së Spitalit të Durrësit, doktor Dhimitraq Gjergo, sqaron se ”foshnjën e kishin dërguar në Tiranë, pasi ishte rast i komplikuar. Ajo mbërriti në spital në gjendje të rëndë dhe se temperatura i kishte prekur sistemin nervor”. Raporti mjekësor është sekuestruar nga policia dhe i ka kaluar prokurorisë.
Hetimi
Nëpërmjet një njoftimi për shtyp policia sqaron se mbrëmjen e 24 gushtit Adesa Xhangoli ishte dërguar, nga familjarët, në spitalin e Durrësit, me temperaturë të lartë. Mjekët kanë kërkuar t’i bëhet ekzaminim i hollësishëm, me pajisje të cilat nuk i disponon pediatria e Durrësit, një prej të cilave edhe skaneri. Në këto kushte foshnja me urgjencë është dërguar në spitalin Ushtarak në Tiranë, por ka gjetur vdekjen rrugës.
Drejtoria e policisë së Durrësit njofton se ka nisur hetimin dhe i ka kaluar prokurorisë materialet për veprën penale të mjekimit të pakujdesshëm, pas vdekjes së një foshnjeje 11-muajshe. Sipas policisë, më datë 24 është sjellë në repartin e pediatrisë nga familjarët e saj foshnja Adesa Xhangoli, 11-muajshe, banuese në Durrës.
E mitura është dërguar për trajtim në Spitalin Ushtarak të Tiranës, ku rreth orës 21.00 ka gjetur vdekjen. Nga ana e policisë lidhur me këtë ngjarje, u kryen veprimet e para hetimore dhe po vazhdon kryerja e ekzaminimit mjeko-ligjor me qëllim saktësimin e shkaqeve të vdekjes, përfshirë këtu edhe trajtimin mjekësor të dhënë nga personeli i spitaleve. “Nga ana e uniformave blu në lidhje me këtë ngjarje, u kryen veprimet e para hetimore dhe po vazhdon kryerja e ekzaminimit mjeko-ligjor me qëllim saktësimin e shkaqeve të vdekjes, përfshirë këtu edhe trajtimin mjekësor të dhënë nga personeli i spitaleve. Materialet e para hetimore për veprën penale të mjekimit të pakujdesshëm iu kaluan për vlerësim Prokurorisë së Rrethit Durrës" - thuhet në njoftimin për shtyp të policisë së Durrësit.