Shqipëria e Rusia, marrëveshje kundër trafikut të drogës
Ministri Bujar Nishani pret kreun e Shërbimit për Kontrollin e Trafikut të drogës së Rusisë, Viktor Ivanov, dhe firmos me të marrëveshjen dypalëshe
Tiranë Shqipëria dhe Rusia firmosën dje një marrëveshje për luftë të përbashkët kundër trafikut të lëndëve narkotikëve. Edhe pse me një distancë të konsiderueshme gjeografike mes tyre, dy vendet kanë marrë angazhimin të forcojnë bashkëpunimin kundër fenomenit tashmë mbarëbotëror të narkotrafikut. Marrëveshja e bashkëpunimit u nënshkrua dje në ambientet e Ministrisë së Brendshme mes drejtuesit të kësaj ministrie, Bujar Nishani, dhe kreun e Shërbimit për Kontrollin e Trafikut të Narkotikëve të Federatës Ruse, Viktor Ivanov. Marrëveshja ka si qëllim luftën e përbashkët kundër trafikut të paligjshëm të lëndëve narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve të tyre. Pas nënshkrimit, ministri Nishani tha se “pikërisht kjo marrëveshje është një shprehje e qartë e vullnetit të përbashkët politik për t’u angazhuar në këtë bashkëpunim në luftën kundër kësaj sfide të madhe, e cila është një e keqe për jetën dhe shëndetin e qytetarëve të të dy vendeve tona, por natyrisht edhe për çështje që kanë të bëjnë me sigurinë”. Sipas tij, marrëveshja e nënshkruar dje është në vazhdën bashkëpunimit të ngushtë që Shqipëria ka ndërtuar me vende të rajonit, të Bashkimit Europian apo me vende të tjera, falë të cilave vetëm tre vitet e fundit janë kryer 31 operacione të përbashkëta, me 50 persona të arrestuar vetëm në vendin tonë. Në këtë kontekst, ministri Nishani tha se edhe marrëveshja e bashkëpunimit me Federatën Ruse synon t’i përgjigjet sfidës së trafikut të lëndëve narkotike dhe krimit të organizuar që nuk njeh kufij dhe është bërë gjithnjë e më shumë i sofistikuar. “Ky bashkëpunim, i cili edhe me Federatën Ruse nis të konkretizohet pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, qoftë në aspektet e shkëmbimit të informacionit për fushën përkatëse, qoftë në atë të organizimit dhe planizimit të goditjes të grupeve kriminale, të bashkërendimit të punës së përbashkët të agjencive përkatëse në goditjen e kësaj veprimtarie kriminale, besoj se është një kontribut i rëndësishëm për qytetarët e vendeve tona, për institucionet e vendeve tona”- tha Nishani. Gjatë fjalës së tij, drejtori i Shërbimit për Kontrollin e Trafikut të Narkotikëve të Federatës Ruse, Viktor Ivanov, shprehu angazhimin për zbatimin me sukses të marrëveshjes në të gjitha aspektet e saj, të forcimit të kuadrit ligjor, shkëmbimin e përvojave të agjencive të dy vendeve, zhvillimin e trajnimeve të përbashkëta dhe të punës së përbashkët hetimore për të zbuluar dhe goditur vatrat e kriminalitetit dhe në veçanti të trafikut të lëndëve narkotike. L.Bakillari