Plantacion 3 ha me hashash në periferi të Tiranës, dy banorë nën hetim
Tiranë Lufta kundër kultivimit të narkotikëve është finalizuar dje me identifikimin dhe asgjësimin e një plantacioni të tërë hashashi në periferi të kryeqytetit. Zbulimi është bërë nga agjentët e komisariatit nr.5, të cilët konstatuan sipërfaqen e konsiderueshme të tokës ku ishin kultivuar plot 800 rrënjë bimë narkotike të llojit kanabis sativa. Sipas policisë, lënda narkotike është zbuluar në fshatin Priskë të Komunës Zall-Herr, ndërsa janë asgjësuar bimët narkotike, pasi u janë nënshtruar analizave përkatëse. Pas zbulimit të lëndëve narkotike, policia ka nisur procedimin në gjendje të lirë ndaj dy të moshuarve me origjinë nga fshati ku u gjendën të mbjellat me hashash. Policia e kryeqytetit njoftoi dje se ka nisur procedimi penal ndaj Asllan dhe Jakup Qefalisë, respektivisht 59 dhe 69 vjeç, si të dyshuar për kultivimin e lëndëve narkotike. Ende nuk ka prova që të bëjnë fajtorë të dyshuarit dhe për këtë arsye ata po ndiqen në gjendje të lirë. Sipas burimeve, mësohet se në këtë operacion janë angazhuar një numër i madh forcash policie, por gjithçka ka mbetur te evidentimi i parcelave të mbjella me kanabis dhe asgjësimi i tyre, pasi nuk ka asnjë të arrestuar si pronar i narkotikëve. Policia tha se kanabisi ishte mbjellë në katër parcela me sipërfaqe 3 mijë e 200 metër katrorë, çka e kthen në plantacion të vërtetë sipërfaqen me kanabis të asgjësuar dje nga blutë e kryeqytetit. Fillimisht agjentët e policisë kanë marrë disa bimë të gjetura në parcelë, të cilat iu nënshtruan ekzaminimit të mëtejshëm për të përcaktuar llojin e tyre. Sipas rezultateve të para të analizave, rezulton se bimët e gjetura në fshatin Priskë janë të llojit kanabis sativa. Aktualisht komisariati nr.5 në bashkëpunim me sektorin kundër narkotikëve në policinë e kryeqytetit kanë nisur një hetim për gjetjen e pronarëve të sipërfaqes së konsiderueshme të hashashit. Hetimi në këtë drejtim është i vështirë, pasi toka ku ka qenë e mbjellë lënda narkotike nuk ka pronar, por është nën administrimin e komunës. Burimet thanë se të katër parcelat e evidentuara kanë qenë në një sipërfaqe toke në pyllin e fshatit Priskë, i cili është në pronësi të komunës Zall-Herr, çka e vështirëson akoma më shumë gjetjen e pronarëve të vërtetë të lëndës narkotike, me vlera të konsiderueshme monetare. Paraprakisht dyshohet se pronarë të saj janë dy të moshuarit, të cilët tashmë janë zyrtarisht nën hetim, por ende nuk është siguruar ndonjë provë që lidh ata me lëndën narkotike të kultivuar në fshatin Priskë. Operacioni i djeshëm i policisë vjen menjëherë pas aksionit që forcat speciale në bashkëpunim me policinë e Gjirokastrës kryen në fshatin Lazarat, ku asgjësuan 5 parcela të mbjella me kanabis. Për nga sipërfaqja e tokës, por edhe sasia e bimëve narkotike të asgjësuara, operacioni i policisë së kryeqytetit mund të konsiderohet si një nga aksionet më të mëdha që policia ka zhvilluar muajt e fundit, në drejtim të bimëve narkotike. Drejtues të policisë së Tiranës kanë zhvilluar takime periodike me drejtues vendorë, ku është rënë dakord për një luftë të përbashkët kundër kultivimit të narkotikëve. Kujdesi i policisë kishte bërë që Tirana të zhdukej nga harta e zonave ku kultivohet kanabis sativa, por rasti i djeshëm tregoi se lufta kundër këtij fenomeni nuk mund të ndërpritet asnjëherë.
800 Rrënjë kanabis sativa janë asgjësuar dje në fshatin Priskë, vetëm pak kilometra larg Tiranës. Policia ka nisur hetimet në gjendje të lirë për dy banorë të fshatit, ndërsa po kërkohen kultivuesit e drogës
3200 Metër katrorë tokë ishte zona e mbjellë me hashash, duke e kthyer këtë në rastin më të rëndësishëm të asgjësimit të bimëve narkotike në vend për këtë vit. Toka e mbjellë ishte nën administrimin e komunës