Tre vëllezër rrahin ish-dhëndrin, shpallen në kërkim
FUSHË –Krujë Tre vëllezër sulmojnë me sende të forta ish-dhëndrin e tyre, duke e qëlluar edhe me thika, në qendër të Fushë-Krujës, jo shumë larg rajonit të policisë së Fushë-Krujës. Ndërsa policia e Krujës ka arrestuar në flagrancë Lulzim Zenunin, 34 vjeç, nga Fushë-Kruja; ndërsa ka shpallur në kërkim vëllezërit e tij, Përparim Zenuni, 26 vjeç dhe Dritan Zenuni, 27 vjeç, nga Fushë-Kruja. Hetimet e policisë kanë treguar se të tre vëllezërit Zenuni i kanë zënë pritë në qendër të Fushë-Krujës ish-dhëndrit të tyre Petrit Rreshka, 51 vjeç, nga Fushë-Kruja, duke e goditur atë me sende të forta si leva dhe mjete prerëse thika dhe e kanë lënë atë pa ndjenja. Pas goditjes së Rreshkës, tre dhunuesit e tij janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, ndërsa kanë lënë 51-vjeçarin për të vdekur në vendin e ngjarjes. Kanë qenë kalimtarët të rastësishëm që kanë dërguar në urgjencën e spitalit Rreshkën e më pas bluzat e bardha e kanë dërguar atë në spitalin ushtarak Tiranë. Policia e Fushë-Krujës me të marrë njoftimin ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe me të mbledhur informacionet ka nisur edhe kërkimet për gjetje dhe arrestimin e autorëve që kanë sulmuar 51-vjeçarin. Policia e Fushë-Krujës ka mundur të arrestojë vetëm njërin nga vëllezërit i cili është Lulzim Zenuni. Ndërsa dy vëllezërit e tij bashkëpunëtorë janë larguar në drejtim të paditur. Nga hetime e deritanishme rezulton se i plagosuri në gjendje të rëndë Petrit Rreshka kishte ndarë gruan e tij, e cila ishte edhe motra e tre vëllezërve Zenuni. Këtë gjë ai e kishte bërë edhe tri herë të tjera e më pas ishte ribashkuar. Ndarja e fundit me gruan e tij e Rreshkës kishte një muaj që kishte ndodhur, ndërsa tre vëllezërit ishin betuar se do hakmerreshin. Me t’u gjendur përpara me 51-vjeçarin e kanë dhunuar atë me leva dhe thika, duke e lënë për të vdekur, por falë ndërhyrjeve të kalimtarëve të rastit e më pas të infermierëve mësohet se Rreshka edhe pse në gjendje të rëndë shëndetësore, ka shpresa për jetën. Ndaj tre vëllezërve policia e Fushë-Krujës ka ngritur akuzën për veprën penale të “ plagosjes së rëndë me dashje, kryer në bashkëpunim dhe mbajtjes pa leje të armëve të ftohta”. Ata iu kaluan për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Krujë.