E Diel, 1 Nëntor 2026

Vdekja e Çekës, fqinjët: Kushëriri e vrau për tokat, nuk morën pjesë në varrim

SHKRUAN: Habjon Hasani 27-08-2011 13:53

Tiranë Policia e Tiranës arreston autorin e shtypjes për vdekje të djalit të xhaxhait të tij, ndërkohë që shtohen dyshimet se aksidenti i ndodhur mbrëmjen e së enjtes në Marikaj ishte i qëllimshëm. Përmes një njoftimi për shtyp, policia e kryeqytetit bëri me dije se është arrestuar 34-vjeçari Gazmend Çeka, i akuzuar për aksidentimin e Pëllumb Çekës. Arrestimi u krye në orët e para të mëngjesit të djeshëm, ndërsa vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. “Arrestimi i tij u krye sepse ditën e enjte, rreth orës 19.00, në aksin rrugor Vorë – Marikaj, duke qarkulluar me automjetin e tij Benz 220 C-klas, me targa TR 3756 F ka aksidentuar duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme Pëllumb Çekës, banues në Marqinet” - thuhet në njoftimin e Policisë së Tiranës. Hetimi mbi këtë çështje nga ana e policisë dhe prokurorisë konsiston në faktin se aksidentimi mund të ketë qenë i qëllimshëm për shkak se mes dy djemve të xhaxhait kishte disa mosmarrëveshje për tokat. Në fshatin Marqinet, ku banonte viktima, bashkëfshatarët dhe fqinjët e tij i thanë dje MAPO-s se ajo që ndodhi ishte një vrasje. “Në ceremoninë e varrimit të Pëllumb Çekës nuk morën pjesë anëtarët e familjes së autorit të dyshuar. Pëllumb Çeka punonte roje dhe ishte duke shkuar në punë kur u godit me makinë. Familja e tij është një ndër më të varfrat e këtij fshati. Këtu të gjithë të varfër janë, po ata ishin më keq se shumica e të tjerëve. Mundohej dhe përpiqej të bënte çdo punë, pasi kishte gruan vajzën dhe djalin për të ushqyer”, - tregon fqinji i viktimës për MAPO-n. Ai pohon se të gjithë në fshat janë të shokuar nga veprimi i autorit dhe se dyshon që krimi të ketë si motiv konfliktin për pronat. “E bëri shumë keq. Nëse kanë patur konflikte, më mirë t’i dilte përballë e ta bënte, por jo ashtu në terr dhe pas krahëve e duke e torturuar e bërë copa”, -shpreheshin dje banorët e fshatit Marqinet. Sipas fqinjëve, vëllai i autorit të dyshuar kishte vilën e tij fare pranë shtëpisë modeste të Pëllumb Çekës, ndërsa autori dhe familja e tij jetonin në Vorë. “Konfliktin e kanë patur për ato tokat e mbjella me misër, që kanë përpara shtëpisë. Janë toka fare pranë rrugës dhe që kanë një vlerë të mirë, sepse është zonë industriale dhe kanë të ardhme si toka. Por mënyra si ia bënë Pëllumbit ishte shumë e keqe dhe sado mosmarrëveshje të kishin, nuk mund të bëhej ai veprim”, - shton më tej fqinji. Burime nga policia bëjnë me dije se pas arrestimit, Gazmend Çeka ka mohuar të ketë përplasur qëllimisht kushëririn e tij. Në dëshminë e dhënë për policinë, 34-vjeçari ka pohuar se ishte përpjekur të devijonte një makinë dhe kishte goditur Pëllumbin, pa e parë se ai po ecte në rrugë. Hetimet e mëtejshme do të vërtetojnë nëse vdekja e 51-vjeçarit Pëllumb Çeka ishte e qëllimshme apo aksidentale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›