E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dështon Kupa e Shqipërisë, Policia nuk garantoi rendin

SHKRUAN: Jeton Selimi 20-05-2011 11:46

Dështon edhe finalja e Kupës së Shqipërisë, që ishte programuar të zhvillohej këtë fundjavë. Lajmin e ka bërë të ditur vetë FSHF-ja, e cila është vënë me shpatulla pas murit nga refuzimi i forcave të rendit për të garantuar sigurinë në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, pasi ky i fundit gjendet vetëm pak metra larg zyrave të KQZ-së, ku ditët e fundit janë prodhuar edhe konflikte mes policisë dhe militantëve të Partisë Socialiste. Afërsia e stadiumit si dhe fakti që në finale do të luajnë dy ekipe të kryeqytetit, Tirana e Dinamo, tifozëria e të cilave nuk do të hezitonte për të mbushur shkallët e stadiumit, e kanë detyruar Drejtorinë e Policisë së Tiranës që të refuzojë çdo angazhim në lidhje me futbollin gjatë këtyre ditëve. Madje, jo vetëm Kupa e Shqipërisë, por edhe finalja e Kategorisë së Dytë, midis Himarës, fituese e Grupit të Jugut, dhe Kukësit, fitues i Grupit të Veriut, nuk do të zhvillohet në Tiranë. Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur që këtë ndeshje ta spostojë në Durrës, por të mos ndryshojë ditën e zhvillimit të saj. Pra, Kukësi e Himara do të ndeshen nesër në “Niko Dovana” për kurorën e më të mirës së Kategorisë së Dytë.

Nga ana tjetër, federata nuk bën të ditur një datë konkrete për zhvillimin e finales së Kupës së Shqipërisë. Arsyeja ka të bëjë me mbledhjen e KQZ-së, e cila nuk ka një datë të saktë të mbylljes së punimeve të saj. Jashtë zyrave ku po shqyrtohen fletët e kontestuara në kuti të veçanta, është e pranishme një turmë e madhe mbështetësish të Partisë Socialiste, si dhe janë të angazhuara shumë qindra forca policore, çka e bën thuajse të pamundur sigurinë në stadiumin “Qemal Stafa”.

Kuqezinjtë U-19 humbasin 1-2 me Italinë

Përfaqësuesja U-19 e Shqipërisë ka zhvilluar dje ndeshjen e dytë në harkun e disa ditëve kundër homologes së saj italiane në fushën e kësaj të fundit. Një tur i shpejtë, i këndshëm dhe me shumë përvojë për kuqezinjtë, të cilët tashmë kanë fituar diçka më shumë në përvojën ndërkombëtare. Diferencat mes dy ekipeve janë të ndjeshme, megjithatë, sidomos në ndeshjen e djeshme, sipas raportimeve të mediave italiane, shqiptarët kanë luajtur jo më të ndrojtur, por kanë guxuar dhe të sulmojnë. Pasi shifrat shkuan 2-0 për Italinë, shqiptarët kanë zhvilluar një lojë të rrjedhshme, që është finalizuar dhe me një gol që ka ngushtuar diferencën, me autor Tafën.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›