Dështon aksioni i Vetëvendosjes kundër Edita Tahirit

“Aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! sot planifikuan një protestë, për të ndërprerë rrugën e Edita Tahirit drejt aeroportit, për ta bllokuar udhëtimin e saj me trupat tanë”, thuhet në një komunikatë të kësaj Lëvizje.
“Sepse, Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri është më mirë të qëndrojë në Kosovë. Sa herë shkon në Bruksel ajo kthehet prej andej me premtime të vjetra e me koncesione të reja për Serbinë”.
Sipas Vetëvendosjes, Policia e Kosovës që prej mëngjesit ka qenë duke patrulluar rrugën nga do të kalonte Edita Tahiri.
“Duke mbrojtur Edita Tahirin, në fakt është mbrojtur kompromisi mes Beogradit dhe Prishtinës, një kompromis që mund të tregtohet në Bruksel, por që në popull nuk ka për të kaluar”.
Vetëvendosje! njofton se gjatë patrullimeve të tyre, policët ndalën dhe shoqëruan në stacion të policisë disa aktivistë të Lëvizjes, “ku edhe i kanë mbajtur për disa orë, derisa Edita ka kaluar pa ia shqetësuar asnjë protestë rrugën e saj drejt negociatave me Stefanovicin”.
“Aktivistët u arrestuan pa kryer kurrfarë shkelje ligjore, ata kishin me vete vetëm një pankartë, e nuk ishin duke penguar askënd. Mirëpo policia e Kosovës tashmë ka filluar të ushtrojë dhunë me paragjykime politike, ajo i ndal njerëzit jo në bazë të ligjeve apo veprimeve që ata bëjnë, po thjesht pse e di që ata janë aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Pra, policia gjersa nuk ia mundëson dot udhën në atdhe të vet shqiptarit, sot qeverisë po ia liron udhën për në negociata”, thuhet në komunikatë.
“Edita Tahirin e ruajnë me policë, e ruajnë nga populli i vet, sepse e dinë se ajo e shefat e saj po ia bëjnë gjëmën këtij vendi. Mirëpo, le ta mësojnë mirë, se nëse ata e shesin atdheun llogaria ka për të qenë e shtrenjtë. Edita mund t’ia shtrëngojë dorën Borkos, Hashim Thaçi është krenar që e ka takuar Boris Tadicin, ministrat e Prishtinës dhe të Beogradit sot mund të ndihen mirë, por kompromisi nuk ka për të kaluar kurrë në popull”, përfundon komunikata.
Dështon aksioni i Vetëvendosjes kundër Edita Tahirit
Policia ka dekonspiruar një aksion të Lëvizjes Vetëvendosje! kundër delegacionit kosovar të bisedimeve që udhëtoi sot drejt kryeqytetit europian.
Burime të Express thonë se policia ka ndërhyrë me të vërejtur se disa persona “po mundoheshin ta pengonin apo sulmonin eskortën e Zëvendëskryeministres Edita Tahiri afër Aeroportit të Prishtinës”.
Javë më parë, aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje! kishin sulmuar me domate veturën e Zëvendëskryeministres.
“Nuk dihet se çfarë kanë pasur në mendje të bëjnë sot aktivitet e kësaj Lëvizje. Hetimet po vazhdojnë”, ka thënë një zyrtar i Policisë së Kosovës, në kushte anonimiteti për Express.
Nisen për Bruksel
Delegacioni i Republikës së Kosovës, i udhëhequr nga Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, udhëtoi sot për Bruksel për të marrë pjesë në raundin e shtatë të dialogut teknik që do të mbahet më 21 dhe 22 nëntor 2011.
“Në këtë raund të dialogut midis Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian dhe me pjesëmarrjen e SHBA’ve do të bisedohet për problemin e moszbatimit të marrëveshjeve nga ana e Serbisë si dhe për çështjet për të cilat tash një kohë po diskutohet siç janë çështjet e telekomunikacionit, energjisë dhe bashkëpunimi rajonal. Po ashtu pritet të shtrohet çështja e menaxhimit të integruar të kufirit shtetëror mes dy vendeve”, thuhet në një komunikatë të Zyrës së Tahirit.
“Pala e Kosovës tashmë ka krijuar epërsi në dialog në raport me palën e Serbisë, për faktin se Komisioni Europian zyrtarisht ka vlerësuar rolin konstruktiv të Qeverisë së Kosovës në dialog, përderisa ka kritikuar Serbinë për moszbatimin e marrëveshjeve si dhe ka kërkuar nga ajo përmbushjen e obligimeve nga dialogu dhe arritjen e marrëveshjeve të reja me Kosovën”, vazhdon komunikata.
Qeveria e Republikës së Kosovës do të angazhohet për rezultate konkrete si dhe do të mbrojë qëndrimin se suksesi i dialogut teknik është në zbatimin e marrëveshjeve, si dhe do të ripërsërisë kërkesën që Kosova të shpërblehet për konstruktivitetin në këtë dialog, duke vendosur marrëdhëniet kontraktuale me Bashkimin Europian.
Bashkë me Edita Tahirin janë edhe Lirim Greiçevci - këshilltar politik i Kryeministrit, Dren Zeka - këshilltar kryesor politik i Zëvendëskryeministres Tahiri, Arjeta Rexhaj – këshilltare Politike, Gazmir Raci – këshilltar Politik, Elona Cecelia – këshilltare Politike, Visar Xani – Këshilltar Politik, Ibrahim Gashi - zëvendësministër i Punëve të Jashtme të Kosovës, Edon Cana – Koordinator për bashkëpunim rajonal në ZKM, Naim Huruglica – Drejtor i Doganave të Kosovës, Fisnik Rexhepi – Këshilltar Politik i Ministrit të Punëve të Brendshme, Qemajl Marmullakaj- Zyrtar i lartë për planifikim të politikave (ZKM) dhe Shaban Guda- Policia e Kosovës.