Dështon grabitja e bankës pranë "Zogut të Zi"
Policia thotë se ka ngritur dyshime konkrete mbi autorësinë e ngjarjes, ndërsa sipas saj, autori i tentativës është shpallur në kërkim
Një person i armatosur tentoi të grabisë me armë një filial të një banke që ndodhet në unazë
TIRANË- Dështon grabitja e filialit të bankës së vjedhur rreth një vit më parë, autori largohet pa mundur të marrë asnjë qindarkë. Një filial i banke i nivelit të dytë është tentuar të grabitet dje në kryeqytet rreth orës 14:00, ndërsa autori u detyrua të largohej aty pa mundur të realizojë planin e tij.
Mendohet se policia ka identifikuar autorin i cili gjithashtu është shpallur në kërkim, ndërsa nuk bëhet i ditur emri i tij nga policia për shkak të sekretit.
Një person i armatosur mësohet se ka tentuar të hyjë në zyrat e filialit të bankës që ndodhet në një pallat shumëkatësh në afërsi të Zogut të Zi, thuajse në të njëjtën orë me ngjarjen e ndodhur dy ditë më parë, në rrugën "Komuna e Parisit", në kryeqytet, kur një person i armatosur qëlloi mbi një kambist.
Por sapo ka hyrë në ambientet e bankës që ndodhet në krahun e poshtëm të unazës pranë rrotullimit të Zogut të Zi, personi është detyruar të largohet që aty me shpejtësi, për shkak të alarmit të dhënë nga punonjësit e sigurisë së bankës. Një veprim i tillë ka bërë që në drejtim të filialit të kësaj banke të nisen me urgjencë forca të ndryshme të policisë së kryeqytetit, për të zbuluar autorin e mundshëm.
Ndërkaq, sapo është dëgjuar sinjali i alarmit të dhënë nga filiali i bankës, autori, një person i armatosur, ka braktisur ambientet e saj për t'u larguar me shpejtësi. Sipas burimeve të policisë, autori është përshkruar si një person i veshur me një palë pantallona tre çerekshe me shapka dhe kapele. Ndërkaq, pamja është filmuar nga kamerat e sigurisë, kasetat e së cilës janë administruar nga policia si provë filmike.
Ndërkaq, policia ka marrë dëshmitë e personave të ndryshëm jashtë bankës si dhe të punonjësve të saj që kanë dhënë një përshkrim të autorit të krimit. Sipas dëshmitarëve që kanë qenë të shumtë në vendin pasi u tentua të grabitej filiali i bankës, autori u largua nëpër një tunel që të nxjerr në pjesën e pasme të pallatit. Kjo është gati e njëjta skemë që është përdorur edhe një herë më parë.
Persona të paidentifikuar ende grabitën të njëjtin filial të kësaj banke në sheshin "Rilindja", një vit më parë duke marrë një sasi të konsiderueshme parash. Pas veprimeve të Policisë, filiali i bankës ka filluar të funksionojë normalisht për klientët.
Vetëm tre muaj më parë, persona të armatosur grabitën një sasi të konsiderueshme lekësh në njërin nga filialet e bankës që ndodhet në rrugën "Ferit Xhajko", në Unazë të Tiranës. Kjo grabitje ka mbetur ende pa autor, ndërsa policia ka kryer veprime hetimore të konsiderueshme në lidhje me këtë ngjarje.