Grabitet për të 15-n herë Kisha e Kryeëngjëjve
GJIROKASTËR/ Objekti i kultit është vjedhur gjatë natës, ndërsa ende nuk është bërë i mundur identifikimi i autorëve
GJIROKASTËR- Një objekt kulti në Gjirokastër bie sërish pre e grabitjes. Persona ende të paidentifikuar kanë hyrë në Kishën e Kryeëngjëjve në orët e para të ditës së djeshme dhe kanë marrë prej andej një shumë të hollash. Mësohet se grabitësit kanë mundur të kryejnë aktin e tyre të rëndë pasi kanë thyer drynin e portës së jashtme. Ngjarja është konstatuar fillimisht nga kujdestari i kishës, i cili si çdo mëngjes i është drejtuar objektit fetar, por e ka gjetur atë të hapur dhe të bastisur.
Menjëherë pas kësaj, ai ka lajmëruar uniformat blu të cilat kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë filluar kryerjen e veprimeve hetimore. Pasi kanë dëmtuar një pjesë të objekteve gjatë dhunimit, grabitësit kanë mundur të marrin edhe një shumë prej 60 mijë lekësh. "Në mëngjes kujdestari e ka gjetur derën të hapur. Më lajmëroi dhe më pas njoftuam edhe policinë. Grabitësit këtë herë nuk kanë prekur lekët e besimtarëve, por të ardhurat e vetë kishës.
Është e pesëmbëdhjeta herë që kisha jonë bie pre e grabitësve",- është shprehur at Theodhori Nikolla. Ndërkaq, policia është duke punuar për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje dhe burime konfidenciale bëjnë të ditur se po punohet në disa drejtime. Objektet e kultit vazhdojnë të mbeten mjaft të lakmuara prej grabitësve në rrethin e Gjirokastrës. Vetëm dy javë më parë një tjetër kishë, ajo e fshatit Jorgucat u grabit. Shtatë ikona rreth 300-vjeçare u vodhën në datën 6 qershor, ndërsa grabitësit vazhdojnë të jenë ende të lirë.