E Shtunë, 31 Tetor 2026

Simuloi grabitjen, arrestohet administratori i kazinosë,

Eno Hoxha, 26 vjeç, është arrestuar pas lajmërimit në polici se e kishin grabitur. Policia i gjen barut në rroba


TIRANË- Administrator i një kazinoje në Tiranë, është arrestuar dje nga policia e kryeqytetit me akuzën e dëshmisë së rreme dhe vjedhjes nëpërmjet shpërdorimit të detyrës.


Eno Hoxha, 26 vjeç, me banim në Tiranë, është arrestuar nga efektivat e Komisariatit Nr .2 si i dyshuar se ka kryer një telefonatë të rreme në sallën operative të drejtorisë së policisë së Tiranës, për të denoncuar grabitjen e një shumë prej 1 milion lekësh të vjetra në një kazino ku ai ishte administrator. Sipas pretendimit të të dëmtuarit, ngjarja ishte kryer nga dy persona të armatosur të cilët kanë qëlluar me armë në kazinonë që administrohej nga i arrestuari.


Sipas kallëzimit të dhënë në polici, autorët kishin mundur të merrnin një sasi prej rreth 1 milion lekësh të vjetra nga kazinoja dhe më pas ishin larguar. Sipas burimeve zyrtare të policisë së kryeqytetit, Hoxha me detyrë administrator i një kazinoje në rrugën "Komuna e Parisit", dyshohet se e ka vjedhur vetë shumën e parave dhe më pas ka lajmëruar sallën operative se paratë janë grabitur nga persona të armatosur.


Telefonata është bërë gjatë orëve të mbrëmjes së ditës së diel dhe Policia vetëm disa orë pas ngjarjes, pas mbërritjes së bluve në vendin e ngjarjes kanë nisur hetimet. Sipas të dhënave nga Policia, nga hetimet e kryera rezulton se vetë telefonuesi, administratori i kazinosë, ka denoncuar në polici për të shmangur përgjegjësinë e humbjes së parave.


Ndërkaq, gjatë kryerjes së veprimeve hetimore dhe këqyrjes së vendit të ngjarjes, policia ka gjetur faktorë plotësues në rrobat e Hoxhës, si blozë dhe barut të djegur. Gjatë marrjes së tij në pyetje, Hoxha, nuk ka pranuar të tregojë se përse baruti ndodhej në rrobat e tij.


Nga ky fakt policia ka ngritur dyshime, ndërsa ka nisur verifikimet. Kjo skemë që kishte menduar 26- vjeçari nga Tirana nuk ka funksionuar, pasi nga hetimet e uniformave blu, ka rezultuar se në kazino nuk ka patur grabitje.


Sipas Policisë, nga specialistët e Seksionit Kundër Vjedhjeve me dhunë është bërë e mundur që të identifikohet personi që ka telefonuar në sallën operative të Policisë së Tiranës, nga ku ka rezultuar se telefonata është bërë nga vetë i arrestuari. Dyshohet se Eno Hoxha, ka realizuar vjedhjen e parave dhe për të fshehur vjedhjen ka telefonuar në Polici.


Burime policore tregojnë se gjatë kontrollit të imtësishëm të ushtruar në automjetin tip MBW, në pronësi të të arrestuarit është gjetur shuma prej 1 milon lekësh, e cila ishte deklaruar e vjedhur, shumë kjo e sekuestruar nën cilësinë e provës materiale.


Hetimet ndaj 26- vjeçarit do të ndiqen nga Prokuroria e Tiranës dhe ndaj tij rëndojnë dy akuza, ajo e vjedhjes duke shpërdoruar detyrën dhe akuza e kallëzimit të rremë.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›