E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dështon hetimi i AKK-së

Hetimi i nisur kohë më parë rreth ndarjes së mundshme të tregut në mes të kompanive të sigurimit në vendin tonë nuk ka dhënë ndonjë rezultat. Madje pronarë të kompanive kanë injoruar në vazhdimësi Agjencinë Kosovare të Konkurrencës (AKK), qysh kur ka nisur një hetim të tillë. Në raportin vjetor të AKK-së për vitin 2012 që i është dërguar Kuvendit të Kosovës për aprovim thuhet se monitorimi i industrisë së sigurimeve rreth caktimit dhe ndarjes së tregut në auto-përgjegjësinë ndaj palës së tretë mbetet ende nën monitorim, meqenëse autoriteti ka hasur në sfida të ndryshme në këtë rast. “Sfidë e veçantë ka qenë mosbashkëpunimi i ngushtë i kompanive të sigurimit me inspektorët. Po ashtu në mungesë të ekspertëve të IT-së për të deshifruar ndarjen e tregut në softuer-in në mes të kompanive të sigurimit.

Ky rast është ende në proces hetues dhe me plotësimin e disa kapaciteteve të autoritetit do të bëhet e mundur që të zhvillohen hetime të thella në tregun relevant”, thuhet në raportin e AKK-së e të cilin e ka siguruar gazeta “Zëri”. Por, derisa Agjencia nuk ka pasur sukses në hetimin e kompanive të sigurimeve, ajo gjatë vitit 2012 ka gjetur dhe shfuqizuar disa marrëveshje e vendime tjera që në masë të madhe kanë dëmtuar qytetarët e Kosovës. Në raport thuhet se te rasti në Industrisë e çimentos “Sharr Cem”, para marrjes së masave të përkohshme mbrojtëse në tregun përkatës të çimentos, AKK-ja ka monitoruar tregun relevant dhe ka konstatuar se ka çrregullim të konkurrencës, ku me datën 26.07.2012 Autoriteti i Konkurrencës merr konkluzion për fillimin e hetimeve të thella në tregun përkatës të çimentos në Kosovë respektivisht ndaj kompanisë “Sharr Cem”.

“Pas mbledhjes së të dhënave, përpunimin e tyre dhe faktimin e provave mbi dyshimet për keqpërdorimin e pozitës dominuese, me datën 27.02.2013 Autoriteti thërret në seancë dëgjimore përfaqësuesit e ‘Sharr Cem-it’ për të paraqitur pretendimet e tyre dhe me këtë rast sekretariati i Autoritetit pas kryerjes së procedurave ligjore është në fazën e fundit të vendimmarrjes”, thuhet në raport. Gjatë vitit 2012 Agjencia Kosovare e Konkurrencës ka shfuqizuar edhe një vendim për fiksimin e çmimit të biletave ndërmjet agjencive të transportit rrugor të udhëtarëve në regjionin e Pejës./Indeksonline/ 

Autoriteti ka iniciuar hetimet bazuar në kërkesën e organizatës “Paqja Studentore” e studentëve të Universitetit të Prishtinës për shqyrtimin e ngritjes së çmimeve të biletave në transportin rrugor dhe me këtë rast gjatë zhvillimit të hetimeve nga ana e inspektorëve është gjetur kopja fizike e marrëveshjes për fiksimin e çmimeve pas përfundimit të këtyre hetimeve komisioni i autoritetit ka marrë vendim për shfuqizimin e kësaj marrëveshje dhe ka kthyer konkurrencën efektive në tregun përkatës. “Pas një shqyrtimi të hollësishëm nga Autoriteti është vërejtur se marrëveshja që është lidhur nga këto agjenci nuk është respektuar dhe se është bërë nga mosnjohuria e peshës së kësaj marrëveshjeje dhe nga mosnjohja e rregullave të konkurrencës”, thuhet në raport.

43 mijë euro për udhëtime

Në bazë të raportit vjetor shihet se AKK-ja gjatë vitit 2012 vetëm për udhëtime ka shpenzuar hiç më pak se 43 mijë euro, gjersa për telefona mobilë kanë shpenzuar 6 mijë euro. Po ashtu gjatë vitit 2012 AKK-ja është kujdesur për mobilizim të zyrave ku për këtë qëllim ka shpenzuar hiç më pak se 15 mijë euro, 9 mijë euro për derivate, 5 mijë euro për dreka zyrtare etj. Po ashtu për 15 punëtorë të kësaj agjencie gjatë vitit 2012 për paga janë shpenzuar 100 mijë euro, ku paga mesatare për punëtor del të jetë 555 euro.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›