E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarë provokojnë në Bienalen e Venecias

SHKRUAN: Aida Tuci 01-06-2011 11:58

Nëse qëllimi i Bienales së artit bashkëkohor është që të çudisë dhe të provokojë, atëherë gjithçka ka sens. Bienalja e 54-rt e artit bashkëkohor, që merr udhë në Venecia, për t’u mbyllur në nëntor, numëron në këtë edicion pjesëmarrjen e 89 vendeve, me prezantimin e qindra veprave të artistëve më të njohur të kohëve moderne. Mes 89 vendeve pjesëmarrëse është edhe Shqipëria, që në Bienalen e Venecias shkon me pesë artistë: Anila Rubiku, Driant Zeneli, Eltjon Vallej, Orion Shima dhe Gentjan Shkurti. Anila Rubiku prezantohet në Venecia me një instalacion në emër të solidaritetit. Një kapele është simboli i eksperiencave të vështira në mbrojtje të identitetit. Është ky leitmotivi i “Hats Protect Ideas”, instalacioni i artistes shqiptare Anila Rubiku në bashkëpunim me Fondacionin Borsalino, që do të prezantohet në Bienalen e 54-rt të Venecias, në pavijonin e Shqipërisë. Eksplorimi i temës së identitetit rrëfen historinë personale të artistes, që ka lënë vendlindjen duke përballuar vështirësitë dhe pengesat në emigracion: Borsalino dhe Anila Rubiku propozojnë një udhëtim me ndikim social përtej asaj artistik. Instalacioni zhvillohet përmes itinerarit që përshkojnë 60 kapele burrash, qëndisur me dorë, ku secila prej tyre tregon një histori vuajtjeje, lidhur me plagën e emigracionit. Kapelet janë qëndisur nga gra ta huaja emigrante në Itali dhe sjellin në dizajnin e tyre pjesëza nga jeta e tyre e vështirë dhe përpjekjet personale për të marrë lejet e qëndrimit në Itali. “Projekti im tregon aftësitë dhe format e përshtatjes për ata që janë përballur me këtë transformim jo pa vështirësi për ta, por dhe me konflikte të brendshme social-kulturore. Gjatë këtij procesi ndiejmë, përmes dizajnit, përjashtimin, paragjykimin, gëzimin e një lejeje qëndrimi, përkushtimin ndaj nënshtetësisë” - shprehet artistja shqiptare Anila Rubiku, e cila jeton në Milano. Edhe artisti tjetër Driant Zeneli është fitues i Çmimit Ndërkombëtar ‘Onufri 2008’, që jeton në Milano. Ai prezantohet në Bienale me një video instalacion, që duket si një udhëtim në hënë i artistit. Artisti Orion Shima prezantohet në këtë Bienale përmes pikturës. Pikturat e tij marrin spunton nga natyra, ato janë imazhe nga natyra, si është parë dikur marrëdhënia e njeriut me natyrën dhe si mund të shihet sot kjo marrëdhënie nga vetë artisti. Gentjan Shkurti prezantohet ashtu si dhe kolegu Shima me pikturë: “Pikturë Demokratike”, një tablo e realizuar tërësisht sipas preferencave të ngjyrave të 100 njerëzve të anketuar prej tij. Ndërsa artisti tjetër Eltjon Vallej prezantohet me zhanrin e fotografisë dhe tema e tij është ndotja e mjedisit “Island - The Marinz Project” është fotoja prezantuese e tij. Ekspozita që përfaqëson Pavijonin Shqiptar në Edicionin e 54-rt të Venecias titullohet: Geopathies, që, sipas idesë kuratoriale të italianit Richard Caldura, është raporti i ngushtë mes veprës së artit dhe kontekstit gjeografik, historik dhe shoqëror. Vendi ku është vendosur pavijoni shqiptar ndodhet në Giudeça, përballë Akademisë së Arteve të Bukura, në sallën “Rolak”, një hapësirë prej 160 metra katrorë ku prezantohen për herë të parë para publikut ndërkombëtar pesë artistët shqiptarë: Anila Rubiku, Driant Zeneli, Oltjon Vallej, Orion Shima dhe Gentjan Shkurti.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›