Shqipëria zgjeron me 9 mln euro aksionet në BERZH
Janë 9 mln euro detyrim buxhetor i Shqipërisë, që në rast krize të Bankës Europiane për Zhvillim (BERZH), ajo mund t’i tërheqë për llogari të financave të saj. Ky është një detyrim në bazë të marrëveshjes së anëtarësimit në këtë bankë. Rritja e kapitalit themeltar të Shqipërisë, të autorizuar te BERZH, është pjesë e rezolutës së miratuar dje në Komisionin Kuvendor të Ekonomisë dhe Financave vetëm me votat e maxhorancës. Sipas marrëveshjes në fjalë, Shqipëria shton në këtë mënyrë kapitalin themeltar të autorizuar te Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, me një vlerë prej 9 milionë euro. Dhe si rrjedhojë, numri i aksioneve të Shqipërisë në këtë bankë do të shkojë në rreth tre mijë. Sipas nëndrejtorit të huamarrjes pranë Ministrisë së Financave, Resmi Hibraj, kjo marrëveshje parashikon shlyerjen e kapitalit nëse kërkohet nga banka dhe rrit votat e vendit tonë për financime të ardhshme. Gjatë diskutimeve, kreu i komisionit Edmond Spaho kërkoi se kur mund të aktivizohej shuma themeltare e autorizuar. Nga ana e tij, Hibraj u përgjigj se ky kapital mund të aktivizohet vetëm në rast se BERZh përjeton një krizë të mundshme, por kjo është e pamundur të ndodhë, pasi nuk është shënuar deri tani asnjë precedent, por kjo shumë është një garanci për të gjithë anëtarët në këtë bankë. Sipas tij, BERZH është i vetmi institucion financiar europian, që nga çdo projekt fiton 7% të shumës. Nga ana tjetër, deputeti Selami Xhepa kërkoi të di se pse Shqipëria do të ketë si detyrim buxhetor 9 mln euro me rritjen e këtij lloji kapitali, ndërsa vendet e rajonit e kanë më të ulët. Por Hibraj u përgjigj se Shqipëria e ka nënshkruar marrëveshjen me BERZH më herët se vendet e rajonit dhe me kushtet e përcaktuara dhe mbi të gjitha, kapitali shpërblehet me votë dhe ne kemi më shumë vota. Vendi ynë, zotëronte më parë rreth 2 mijë aksione te Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim BERZH). Kjo bankë shpërndau 101 aksione të tjera për vendin tonë, si pjesë e fitimit të akumuluar, duke e çuar kështu në mbi 3 mijë numrin e aksioneve në zotërim të vendit tonë. Shqipëria ka më shumë aksione te BERZH, krahasuar me vendet e rajonit. Banka Europiane për Rindërtim e Zhvillim publikoi pak ditë më parë në Londër raportin vjetor për vendet në tranzicion, ku edhe këtë vit vlerëson se, Shqipëria do të shënojë rritjen më të lartë në Europën juglindore me 3 për qind. Në BERZH mendojnë se rritja ka ardhur për shkak të disa faktorëve, si mosprekja e drejtpërdrejtë nga zhvillimet ekonomike globale, stabiliteti makroekonomik dhe politikat e kujdesshme financiare. Ekonomisti përgjegjës për Europën juglindore në BERZH, Peter Sanfey, shpjegon se, ndërsa bizneset e vogla janë shtylla kurrizore e ekonomisë shqiptare, vendi ka mbetur pak prapa në zhvillimin e potencialit që ka për eksport.