E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dështon mbledhja e KZAZ-ve në qarkun e Tiranës, debate të ashpra në KQZ



Konstituimi i Këshillave Zonalë të Administrimit të Zgjedhjeve ka dështuar në qarkun e Tiranës. Mbledhja e këtyre këshillave ishte caktuar për ditën e djeshme. Nga 14 KZAZ që duhej të mblidheshin, në 11 prej tyre nuk është bërë mbledhja. Shkak për mosmbledhjen e tyre ka qenë mosparaqitja në to e komisionerëve të majtë. Ky ka qenë edhe objekti i diskutimit në mbledhjen urgjente të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në të cilin ka pasur debate mes përfaqësuesve politikë të dy forcave kryesore politike. Drejtori i komisioneve zgjedhore, Alfred Spahiu, tha se shpërndarja e bazës materiale nëpër KZAZ ka nisur në orën 10:00. “Nga verifikimi që kanë bërë inspektorët tanë, vetëm KZAZ-ja Nr. 58, që i përket Paskuqanit, ka bërë mbledhje të rregullt”, - tha Spahiu. “Ndërkaq, më 2 prill do të nisë shpërndarja e bazës materiale dhe konstituimi i KZAZ-ve në qarqet e tjera të vendit”, - vijoi ai. Përfaqësuesi politik i PD-së në KQZ, Njiazi Kosovrasti, ka debatuar me anëtarin e KQZ-së, Artan Laze, për mosparaqitjen e komisionerëve të majtë ditën e djeshme. Ai e cilësoi këtë veprim të komisionerëve të majtë si shenjë e qartë e bojkotit që forcat e majta duan t’u bëjnë zgjedhjeve të 28 qershorit. Ai u bëri thirrje anëtarëve të KQZ-së që të mbajnë qëndrim për këtë braktisje që po u bëhen këtyre zgjedhjeve dhe të përmbushin detyrimet që u janë caktuar. I menjëhershëm ka qenë qëndrimi i përfaqësuesit të krahut të majtë. Gjoncaj u shpreh se arsyeja që komisionerët e majtë nuk janë paraqitur ka qenë thjesht teknik. “Shkresat nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve na ka ardhur më datë 31.03.2009 në darkë, çka e ka bërë të pamundur mbledhjen e tyre”, - u shpreh Gjonçaj. Ai tha se PS nuk ka pasur dhe nuk ka dëshirë bojkoti dhe armiku i vetëm i dështimit të konstituimit të komisioneve zonale ka qenë koha. Ndërkohë, kryetari Arben Ristani u bëri apel partive për bashkëpunim për të arritur standardet që kërkohen nga zgjedhjet e 2009-s. Anëtarët e KQZ-së ranë dakord që konstituimi i KZAZ-së në qarkun e Tiranës të bëhet ditën e premte, më datë 3 prill.

2 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›