E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: Skafet, burim trafiqesh – Edi Rama kërkon rikthimin e regjimit të vizave

04-06-2012 / Gazeta 55

“Në Shqipëri skafet si flotilje e krimit të organizuar dhe trafiqeve i kanë shërbyer vetëm pasurimit të grupeve kriminale dhe mbrojtësve të tyre, pushtetarëve që i mbështesin dhe Jo qytetarëve”


Partia Demokratike hedh poshtë pretendimet e socialistëve sipas të cilëve “ndalimi i skafeve ka dëmtuar turizmin dhe ekonominë e qyteteve bregdetare”. Përmes zëdhënëses Silvi Bardhi, PD deklaron se “Shqipëria dhe qytetarët e saj kanë nevojë për reforma që i afrojnë me Bashkimin Europian dhe jo trafiqe dhe skafe që i largojnë nga Europa”. “Përsëri Edi Rama nëpërmjet zëdhënësit të tij okazional të radhës iu rikthye temës së tij shumë të preferuar dhe tejet fitimprurëse të skafeve, skafoturizmit dhe Skaforepublikës. Sipas Ramësa ndalimi i skafeve ka dëmtuar turizmin dhe ekonominë e qyteteve bregdetare dhe vetëm sa nuk u tha direkt se qeveria me moratoriumin e skafeve po i dëmton këto bashki socialiste me qëllim. Lidhur me këtë qëndrim të Ramës, Partia Demokratike iu deklaron qytetarëve shqiptarë sa vijon: Në Shqipëri skafet si flotilje e krimit të organizuar dhe trafiqeve i kanë shërbyer vetëm pasurimit të grupeve kriminale dhe mbrojtësve të tyre, pushtetarëve që i mbështesin dhe Jo qytetarëve. Pretendimi se ndalimi i skafeve ka dëmtuar turizmin në qytetet e qeverisura nga socialistët është sa absurd aq edhe qesharak. E vërteta është se pas ndalimit të skafeve numri i turistëve në këto qytete Jo vetëm që nuk është ulur po është rritur me rreth 15 herë dhe në shkallë vendi ky numër është rritur me 13 herë dhe konkretisht Shqipëria priti vitin e kaluar mbi 4 milionë turistë e vizitorë kundrejt vetëm 300 mijë qe ajo priti në vitin 2004. Moratoriumi i skafeve bëri të mundur avokatin e shkëlqyer nga fqinjët tanë, madje garancinë e tyre për heqjen e vizave dhe lëvizjen e lirë në mbarë Europën për qytetarët shqiptare. Sigurisht që për disa pushtetarë që vetë lëvizin me pasaporta diplomatike, lëvizja e lirë e qytetarëve nuk ka rëndësi madje mirë është që ajo mundësisht të anullohet sepse përbën një sukses të qeverisë së kësaj mazhorance. Partia Demokratike denoncon dhe hedh kategorisht poshtë këtë qëndrim të Ramës dhe krerëve të tjerë të Partisë Socialiste me të cilin për interesa të pasurimit të pushtetarëve të saj me paratë e pista të trafiqeve kriminale, kërkojnë të anulojnë lëvizjen e lirë e të rikthejnë vizat për qytetarët e thjeshtë shqiptarë, të rikthejnë sërish Otranton në varrezën e zezë të të rinjëve shqiptarë. Shqipëria dhe qytetarët e saj kanë nevojë për reforma që i afrojnë me Bashkimin Europian dhe jo trafiqe dhe skafe që i largojnë nga Europa”, u shpreh zëdhënësja e selisë blu, Silvi Bardhi.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›