E Shtunë, 31 Tetor 2026

Seanca për imunitetin, Ministrat-PS: Shprehni vullnetin me votë

Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, teksa ka marrë fjalën në diskutimet e seancës së sotme parlamentare për imunitetin, u shpreh se i vetmi detyrim brenda pikës 8 për luftën kundër korrupsionit, vazhdon të mbetet heqja e imunitetit për zyrtarët e lartë.
 

“Nuk duhet që përsëri të vazhdojë i njëjti avaz e zakon i vjetër me bllokimin. E lidhim heqjen me statusin? Sigurisht që po. Sot jemi mbledhur për datën 6 gusht për të votuar heqjen e imunitetit. Duhet të votoni e të mos bllokoni, që qytetarët të na besojnë se votojmë për interesat e tyre. Ju duhet të votoni jo të bllokoni. Shqiptarët duan heqjen e imunitetit për zyrtarët e lartë”, tha Bregu.
 

Me tej Ministrja e Integrimit nënvizoi se opozita vazhdon të mos votojë heqjen e imunitetit edhe pas mbylljes së reformës zgjedhore.

“Edhe pas mbylljes së reformës zgjedhore, ju nuk e votoni heqjen e imunitetit. Në çdo dokument të prodhuar nga ndërkombëtarët, heqja e imunitetit është kusht i domosdoshëm. Të gjitha këto deklarata janë deklarata të cilat janë përcjellë në një retorikë politike”, u shpreh ajo.

Ndërkaq edhe Ministri i Transporteve,Sokol Olldashi, u shpreh se deputetët e PS thonë se kanë vullnet për të votuar, por nuk po e shprehin.
 

“Ne kërkojmë që të ndryshojmë skemën e imuniteteve dhe skemën e drejtësisë. Ju keni qenë kundër Partneritetit të Paqes që në `92. Ju e konsideroni qeverinë tonë si armike dhe jo si kundërshtar.Kërkoni të përbaltni gjithçka, duke thënë se e gjithë klasa politike është e korruptuar” deklaroi Olldashi.
 

Të njëjtin mendim ka ndarë edhe Ministri i Financave, Ridvan Bode, duke i konsideruar deputetët e PS bllokues të këtij projektligji , të cilin e kanë prodhuar vetë.
 

“Ne vijmë në parlament me propozimin e bërë nga PS.Korrupsioni është përdorim i pushtetit publik dhe ai matet me perceptimin e qytetarëve. Heqja e imunitetit krijon kushte për të luftuar korrupsionin.Çështja e imunitetit lidhet ngushtë me proçesin e korrupsionit dhe mosvotimi i imunitetit nga ju do i shkakëtojë dëme popullit. PS nuk është e interesuar për të luftuar korrupsionin.Lufta kundër korrupsionit është çështje proçedurash” deklaroi Ministri i Financave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›