E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dështon strategjia e Sefgjinit

Avokati i kryetatimorit Arben Sefgjini kërkoi dje që klienti i tij të mos gjykohet nga Krimet e Rënda dhe kujtoi se akuzat ndaj tij janë amnistuar me ligj në 1997. Rrëzohen kërkesat nga gjykata

TIRANË - Kreu i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatim-Taksave, Arben Sefgjini, i akuzuar për rrëmbim personi dhe tortura me pasoja të rënda të Remzi Hoxhës, Ziso Kristopullit dhe Avdyl Loshajt, kërkon të gjykohet nga një Gjykatë tjetër, jo nga ajo e Krimeve të Rënda. Trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Xhelal Elezi vendosi të rrëzojë kërkesën e avokatit mbrojtës të ish-kreut të SHIK-ut Tiranë, me arsyetimin se është jashtë afateve proceduriale. Pas qëndrimit mohues ndaj akuzave të ngritura nga Prokuroria për Krime të Rënda, ish-kreu i SHIK-ut Tiranë deri në vitin vitin 1997, Arben Sefgjini shpalos në gjykatë një tjetër strategji. Nëpërmjet avokatit të tij mbrojtës Zef Nikaj, Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve kërkon që procesi gjyqësor ndaj tij të zhvillohet jo në Gjykatën për Krime të Rënda, por në një tjetër gjykatë. Mbrojtësi i Sefgjinit, Zef Nikaj, i kërkoi trupit gjykues shpalljen e mos kompetencës për këtë çështje, pasi Gjykata për Krime të Rënda duhet të gjykojë organizata kriminale, të cilat kanë kryer realisht krime të rënda. Kjo kërkesë e avokatit të Sefgjinit u bë në bazë të arsyetimit se akuza e rrëmbimit të personi, është amnistuar nga Ligji “Për amnistinë” të vitit 1997, ndërsa akuza “tortura me pasoja të rënda”, nuk mund të konsiderohet si krim i rëndë. Bëhet fjalë për nenin 109, i cili parashikon dhe veprën penale rrëmbim personi, të cilët prokuroria i ka atribuuar Arben Sefgjinit dhe tre ish-shikasve të tjerë që akuzohen edhe për tortura me pasoja të rënda në dëm të Remzi Hoxhës, Avdyl Loshajt dhe Ziso Kristopullit. Pas rrëzimit të kërkesës së mbrojtjes organi i akuzës paraqiti në gjykatë një tjetër kërkesë që ka të bëjë me ekspertimin mjekësor të Budion Meçes, një nga të pandehurit e këtij procesi. Sipas akuzës, ish-inspektori i SHIK-ut Meçe, është bërë shkak për ndërprerjen e disa seancave dhe në kërko kushte kërkohet caktimi i dy mjekëve që do të bëjnë një ekspertizë mjekësore për këtë të pandehur, pasi familjarët e tij pretendojnë se është në gjendje kome në spitalin nr.5 në kryeqytet. Në këto kushte prokurori kërkoi një përcaktim të saktë për gjendjen shëndetësore të Meçes, për të vendosur lidhur me vijueshmërinë e procesit gjyqësor. Pas tërheqjes për vendim të ndërmjetëm, trupi gjykues vendosi të caktojë dy mjekë, të cilët do të përcaktojnë gjendjen shëndetësore të Budion Meçes, i cili ende nuk e di se ndaj tij po zhvillohet një proces gjyqësor në Gjykatën për Krime të Rënda. Nga katër të pandehurit e kësaj çështje, në seancë paraqiten vetëm Arben Sefgjini dhe Avni Koldashi, pasi i pandehuri Ilir Kumbaro tashmë është shpallur në kërkim ndërkombëtar, ndërsa Budion Meçe rezulton të jetë në gjendje shumë të rëndë shëndetësore. Katër ish-shikasit akuzohen për rrëmbimin dhe torturimin me pasoja të rënda të Ziso Kristopullit, Avdyl Loshajt dhe Remzi Hoxhës në tetor të vitit 1995.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›