Trafiku i armëve në Çad pret Inën

TIRANË - Deklaratat e publikuara në media se Shqipëria ka çuar armë në republikën afrikane të Çadit gjatë kohës që ka qenë në luftë civile, ende nuk kanë marrë një përgjigje nga organet kompetente. Edhe pse kanë kaluar më shumë së dy javë nga deklarata e deputetit Pirro Lutaj, Prokuroria e Përgjithshme nuk ka asnjë deklaratë zyrtare rreth kësaj çështje. Të kontaktuar nga “Korrieri”, burime zyrtare pranë organit të akuzës, thanë se personi i vetëm që vendos për fillimin e hetimit është kryeprokurorja Ina Rama, e cila prej disa ditësh ndodhet në një vizitë pune në Itali së bashku me stafin e saj të ngushtë. Sipas të njëjtit burim mësohet se pas kthimit të kryeprokurores, pritet të vendoset për këtë çështje, e cila nëse vërtetohet do të dëmtonte shumë imazhin e Shqipërisë, në një kohë kur Parlamenti vendosi dërgimin e 60 trupave paqeruajtës në Çad. Por sipas juristëve Prokurorja e Përgjithshme është vetëm një nga hallkat e zbardhjes së kësaj çështje. Në kushtet kur ekziston një deklaratë publike, juristët thonë se ka dy mundësi për të vepruar. Mundësia e parë, ku dhe Prokuroria ka rol vendimtar është regjistrimi i procedimit penal për trafik ndërkombëtar armësh. Ky veprim mund të ndërmerret kur ka të dhëna dhe prova të mjaftueshme që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se janë kryer shitje të jashtëligjshme armësh me një vend që është në luftë civile.
Ndërsa mundësia e dytë e hetimit të kësaj çështje, sipas ekspertëve “fut në lojë” shërbimet sekrete. Menjëherë pas publikimit të deklaratës, shërbimet inteligjente nisin procesin e gjurmimit, i cili mund të zgjasë deri në tre muaj, pa krijuar asnjë dosje hetimore. Pas tre muajsh, në varësi të provave vendoset për hapjen e dosjes, e cila më pas i përcillet Prokurorisë, si organ kompetent për hetimin e një vepre të tillë penale. Lidhur me deklaratën e deputeti Pirro Lutaj, se ka të dhëna që Shqipëria ka çuar armë në Çad, organi i akuzës ende nuk ka ndërmarrë asnjë veprim konkret, duke e lënë çështjen ende pezull edhe pse kanë kaluar më shumë se dy javë. Gjatë diskutimit në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë Kombëtare për dërgimin e trupave paqeruajtës në Çad, deputeti Pirro Lutaj kërkoi shpjegime nga Ministri i Brendshëm dhe ai i Mbrojtjes rreth marrëdhënieve që vendi ynë ka me republikën afrikan. “Unë kam indikacione që janë çuar armë. Doja përgjigje dhe këta nuk flasin. Çfarë aktiviteti tjetër, ka ushtruar shteti ynë me Çadin?”- tha Lutaj për “Korrierin”, menjëherë pas përfundimit të mbledhjes së Komisionit të Sigurisë Kombëtare.