Unë e di zgjidhjen

Ndërsa klasa politike është ngërthyer në një debat të ashpër për mënyrën sesi duhet të trajtohen nga Parlamenti dekretet presidenciale, deputeti dhe juristi i njohur Spiro Peçi thotë se i gjithë ky lëmsh ka një zgjidhje. Një ligj i veçantë për institucionin e Presidentit. Kjo është ideja që rihidhet në diskutim nga Spiro Peçi. Anëtari i komisionit të ligjeve, tha dje për Korrierin se edhe ky institucion (Presidenti), i cili funksionon pa ndonjë ligj apo rregullore të veprimtarisë që do të zgjidhte keqkuptimet dhe interpretimet e ndryshme si në rastin e fundit, e ka të domosdoshëm një ligj të posaçëm. “Në tërësi ka nevojë të ketë një ligj për institucionin e presidentit. Është një ide që është thënë edhe më parë nga Xhafaj. Ky ligj do të rregullonte mënyrën e veprimit të presidentit në ushtrimin e kompetencave të tij. Që do të thotë, se kompetencat që ia jep kushtetuta për mënyrën e të vepruarit, pra anën proçeduriale duhet ta përcaktojë ky ligj”- i tha “Korrierit”, Spiro Peçi. Ky i fundit sqaron se ligji i veçantë, nuk bën asnjë ndryshim të Kushtetutës dhe nuk është pjesë e reformës në drejtësi. Sipas tij, ligji është i veçantë dhe mund të realizohet, për të shmangur keqinterpretimet, për mënyrën e ushtrimit të funksioneve të presidentit. Ky ligj, do të mund të shmangte edhe situatën aktuale të krijuar, për çështjen e dekreteve, që presidenti, Bamir Topi ka bërë për emërimin e 5 anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Lidhur më këtë përplasje, Spiro Peçi fajëson mazhorancën. Sipas tij, interpretimi që ka bërë Gjykata Kushtetuese është mëse i qartë dhe detyron votimin e dekreteve në kuvend. “Gjykata Kushtetuese e ka shprehur fare qartë. Ajo vetëm interpretoi fjalën pëlqim. Kuvendi s’është i detyruar patjetër të japë pëlqimin për kandidatët. Një kandidat është shtetas shqiptar, ka eksperiencën e kërkuar, etj, këto janë kushtet që përcaktohen në ligj. Gjykata thotë që Kuvendi të shqyrtojë e të vlerësojë edhe kriteret që kanë të bëjnë me meritën. Pra Kuvendi mund të shprehet kundër, edhe nëse kandidati plotëson kushtet, por deputetët kundërshtojnë kur vlerësimi i meritës nuk është i tillë”- deklaron Peçi. Anëtari i Komisionit Parlamentar të Ligjeve, tha se përcaktimi nga Kuvendi, lidhur me meritat, nuk nënkupton, atë që ka bërë tashmë kryeparlamentarja, Jozefina Topalli, sipas opozitës duke kërkuar të dhëna nga institucioni i Prokurorisë e Ministrisë së Brendshme. Për Spiro Peçin, kur bëhet fjalë për vlerësimin e kandidatëve, çdo deputet informohet vetë me të gjitha mënyrat. Secili sipas tij, informohet në mënyrë individuale dhe në fund fare, vendimi që merr kuvendi tregon qëndrimin kolektiv. Në krahun tjetër, sipas opozitës, mazhoranca po kërkon të shmangë edhe votimin për secilin kandidat, duke kërkuar të çojë në kuvend, një raport të Komisionit të Ligjeve për dekretet. Pikërisht për këtë arsye, por edhe për vonesën nga ana e kryeparlamentares Topalli, të majtët kanë kërcënuar me bojkot parlamentar, deri ditën që dekretet do të mbërijnë në kuvend për votim, duke kërkuar që kjo të ndodhë ditën e hënë. saqellari@korrieri.com