Rrugëtimi i dy artistëve
E filluan në Rahovec, e vazhduan në Pejë dhe e përmbyllën në Gjilan. Leonid Palushaj dhe Emine Krasniqi janë dy artistë që para disa ditësh kanë hapur një ekspozitë të përbashkët në këto tri qytete të Kosovës. Plani i tyre ka qenë që ta vazhdojnë edhe në qytete tjera, pasi që është konceptuar në këtë mënyrë, pra si rrugëtim, siç edhe titullohet ekspozita, por filluan t’u shterohen fondet.
Artisti Leonid Palushaj theksoi për Express se arsyeja e hapjes së kësaj ekspozite lëvizëse ka qenë afrimi i artit të tyre me njerëzit që jetojnë nëpër komuna tjera të Kosovës, pasi që shumica e artistëve janë të përqendruar në Prishtinë, ndërsa në qytetet tjera rrallë ndodh të hapen ekspozita të tilla.
Ndërkaq, artistja Emine Krasniqi tha se ekspozita është pritur shumë mirë. “Unë për vete nuk e kam pritur se do të jetë aq mirë. Në Rahovec kam shkuar për herë të parë dhe aty jemi pritur shumë mirë dhe ka pasur shumë njerëz të interesuar”, tha Krasniqi.
Ata theksuan se e kanë ndërmend ta hapin këtë ekspozitë edhe në Suharekë si dhe jashtë Kosovës. “Po mendojmë ta dërgojmë edhe në Maqedoni dhe Shqipëri si ekspozitë të përbashkët, ndërsa në Prishtinë do ta hapim veç e veç”, tha Palushaj.
Tablotë e ekspozuara të Palushajt kryesisht i takojnë ciklit ‘Rrugëtim’, të cilat janë realizuar në teknikën e djegur të akrilikut dhe vajit. Në shumicën e pikturave të tij vërehen këmbët, kryesisht të femrave, që janë në lëvizje. Nuk ka qenë vetëm bukuria e këmbëve të femrave ajo që e ka shtyrë atë t’i pikturojë këmbët por ideja e tij është e përqendruar më shumë të lëvizja e lirë e njerëzve.
“Nuk jam marrë me figurë, apo me diçka tjetër. jam marrë direkt veç me këmbët, ajo që nuk të lë të ndalesh. Kjo më ka bërë më shumë përshtypje”, tha ai.
Në anën tjetër, Krasniqi është përqendruar më shumë të pjesa e epërme e trupit, apo edhe të tërë trupi i njeriut. Të ajo vërehet përdorimi i ngjyrave të shumta.
Të dy artistët janë në një lidhje dashurie që disa vite. Thonë se arti i ka bërë bashkë.
Përpos kësaj ekspozite, ata janë prezantuar edhe më herët para publikut vendas por edhe para publikut të huaj. Kanë hapur disa ekspozita personale në Gjermani dhe Itali, ndërsa janë prezantuar edhe në ekspozita të tjera kolektive.
Të dy thonë se jashtë vendit ka pasur interesim më të madh për pikturat e tyre sesa në Kosovë. “Në Itali njerëzit dukeshin më të afërt me artin, me ngjyrat. Ata më me qejf i shikonin pikturat dhe ndonjë që u pëlqente nuk hezitonin ta blinin”, tha Krasniqi.
Pikturat e ekspozitës së tyre janë vlerësuar mirë edhe nga kritika vendore. Profesori dhe kritiku i artit, Hivzi Muharremi, ka shkruar për pikturat e Palushajt se paraqesin shtegtim të pafund, ecejake drejt ambienteve të panjohura e drejt sfidave jetësore, si dhe ballafaqim me momente të ndryshme jetësore.
“Figurat janë të imagjinuara dhe në shumicën e kompozimeve vihet re trupi i figurave të përgjysmuara, pra ato shpërfaqin pamje vetëm të këmbëve, por në pozita të ndryshme dhe gjithnjë në ecje drejt caqeve të panjohura”, ka shkruar Muharremi. Ndërsa për pikturat e Krasniqit ai është shprehur se ato janë vazhdimësi e punimeve të mëhershme, përmes të cilave piktorja orvatet të pleksë botën e saj sa subtile po aq edhe poetike.
“Në tërë opusin e saj kreativ mbarështohet bota poetike, filozofike e asociative e qenies femërore, e cila në shikim të parë është abstrakte e me deformime, por e tërë ana estetike është manifestuar në vizualitetin e jashtëm, në theksueshmërinë e zbukurimeve të vathëve, flokëve, buzëve dhe pjesëve të tjera që spikasin për një qëndrim e bukuri metaforike – simbolike”, ka shkruar Muharremi.
Megjithëse jetojnë bashkë, të dy artistët thonë se rrinë larg ndikimit në artin e njeri tjetrit.