Dështon tenderi për operatorin e katërt celular
Ka dështuar dje tenderi për dhënien e licencës për operatorin e katërt celular. Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka njoftuar se komisioni i vlerësimit të ofertave ka s’kualifikuar njërën nga kompanitë. Në garë ishin dy shoqëri, shqiptarja “Univers PG” dhe kompania kosovare “PTK”. Kompania shqiptare “Univers PG” nuk ka plotësuar kërkesat për kualifikim, të përcaktuara në dokumentin e tenderit. Në kushtet e mungesës së konkurrencës, komisioni i vlerësimit të ofertave ka ndërprerë procedurën e tenderit. Sipas Autoritetit të Komunikimeve Elektronike, hapat e mëtejshëm do të ndërmerren pas përfundimit të afatit të ankimit nga kompanitë në fjalë. Ofertat e kompanive u hapën më 20 shkurt. Kompania shqiptare “Univers PG”, ofroi 5 milionë euro e cila është edhe shuma minimale që kërkohet nga komisioni për lëshimin e licencës. Ndërsa kompania “PTK”, ofroi 7.2 milionë euro. Në fakt ky tenderi ishte parashikuar të zhvillohej më 23 janar, por bordi drejtues i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe postare (AKEP) mori vendimin për shtyrjen e tij për gati një muaj. Sipas kritereve të përcaktuara më parë, vlerësimi në këtë tender do të kryhet në bazë të pikëve. Kriteri që ka më shumë pikë është pikërisht tarifa e shportës së shërbimeve ose e thënë ndryshe tarifat e bisedave telefonike. Pra kompania që do të ofrojë çmimet më të ulëta do të fitojë plot 45 pikë.