Italia, gjobë 10 mijë euro për emigrantët ilegalë
zirina llambro
Rregulla e sanksione të reja për emigrantët në Itali. Këto parashikon “Paketa e Sigurisë”, e cila tashmë është miratuar në Senatin e shtetit fqinj. Në të parashikohet, veç riatdhesimit, gjoba nga 5 mijë deri në 10 mijë euro për emigrantët e paligjshëm. Po kështu, parashikohet mundësia e riatdhesimit, pa lëshimin e miratimit nga ana e autoriteteve kompetente. Sipas dokumentaciont që vihet në dispozicion nga Ministria e Punës në vendin tonë me anë të kësaj paketë është vendosur taksa e ripërtëritjes së lejes së qëndrimit nga 80 në 200 euro, e gjithashtu edhe sinjalizimit të imigrantëve të parregullt nga ana e personelit mjekësor dhe spitalor. Por ka “ngecur” neni që parashikonte zgjatjen e ndalimit brenda Qendrave të Pritjes së Përkohshme deri në 18 muaj, pavarësisht se Ministria e Brendshme tashmë ka bërë propozimin e saj në seancën e votimit në Dhomën e Deputetëve. Gjithashtu, paketa parashikon se nuk do të jetë më e mundur të kërkosh vizë hyrjeje, nëse miratimi për hyrje me motive të ribashkimit familjar nuk lëshohet 180 ditë pas përpunimit të praktikës. “Kështu davaritet edhe një mundësi garancie e ushtrimit të së drejtës familjare, e parashikuar për t’iu kundërvënë burokracisë së tejngadalshme”, sqarojnë ekspert tanë. Më dekretin e ri për të ashtuquajturat “shërbime të transferimit të parave” emigrantët do të detyrohen të paraqesin lejen e qëndrimit dhe kopjen e saj ta ruajnë për dhjetë vjet. Po kështu, duhet t’ia komunikojnë ekzekutimin e transaksionit autoriteteve kompetente në rastin kur bëhet për një subjekt që nuk zotëron leje qëndrimi.
Ndërkaq, në paketë ashpërsohen të gjitha normat e lidhura me favorizimin e hyrjes së parregullt, ndërsa nuk preken aspak ndëshkimet për shfrytëzuesit. “Mjekët dhe personeli spitalor duhet të sinjalizojnë autoritetet kompetente, me qëllim dëbimin të huajve pa leje qëndrimi, që vijnë pranë strukturave të tyre spitalore”, sqarojnë ekspertët. Sa i përket pajisjes me vizë. Viza e hyrjes dhe leja e qëndrimit nuk mund të lëshohen dhe nëse lëshohen do të anulohen, nëse i huaji rezulton i dënuar. Lehtësira ka edhe për studentët. “I huaji që ka marrë gradën e doktoratës në Itali, apo një master universitar të nivelit të dytë, me skadimin e lejes së qëndrimit për motive studimi mund të regjistrohet në zyrën komunale të gjendjes civile për një periudhë jo më të gjatë se 12 muaj”, përcakton dekreti i ri.