Kroacia: Liberalizim vizash brenda 2009
Kroacia do të liberalizojë lëvizjen pa viza me Shqipërinë brenda këtij viti. Lajmi është dhënë nga ana e kryeministri kroat Sanader gjatë vizitës së Kryetares së Parlamentit Shqiptar, Topalli, në Kroaci me ftesë të Kryetarit të Parlamentit, Luka Bebiç. Gjatë vizitës së saj në Kroaci, Kryetarja e Kuvendit, njofton zyra e shtypit pranë Kuvendit, u prit nga Kryeministri kroat, Ivo Sanader, i cili e konsideroi “një arritje historike dhe një moment kulmor për të dy vendet anëtarësimin në Aleancë në Samitin e ardhshëm. Besoj se ne do të kapërcejmë së shpejti problemet e momentit dhe do të festojmë së bashku 60-vjetorin e NATO-s dhe anëtarësimin tonë me të drejta të plota në këtë aleancë. Pas kësaj arritjeje, do të jetë dhe më e lehtë rruga drejt BE-së”. Lidhur me çështjen e regjimit të vizave, Kryeministri Sanader konfirmoi se “Kroacia do të liberalizojë lëvizjen pa viza me Shqipërinë brenda këtij viti. Kjo do të sillte jo vetëm lëvizjen e lirë të qytetarëve, por edhe intensifikimin e bashkëpunimit në fushën e turizmit, shkëmbimeve tregtare, etj” – citohet të ketë thënë Sanader sipas informacionit të shpërndarë nga zyra e shtypit e Parlamentit shqiptar.