IAAF dhe ish-kampioni olimpik hedhin poshtë akuzat: Do të vazhdojë të jetë ambasador i sportit
Skandali i dopingut në Amerikë po zgjerohet dita-ditës dhe në një nga raportimet e hetuesve federalë është përmendur edhe emri i Moris Grin. Sipas gazetës "New York Times", sprintieri është përfshirë mes sportistëve që merrnin doping nga dëshmitari Anxhel Gilermo Hereida. Katër nga atletët që kanë pranuar përdorimin e stimuluesve, duke përfshirë këtu edhe Merion Xhons, janë përmendur në dëshmi dhe ata janë pezulluar nga pjesëmarrja në të gjitha aktivitetet. Ndërkohë, tetë nga 12 sportistët (mes të cilëve më i njohuri është Moris Grin), nuk ishin përfolur asnjëherë më parë si përdorues dopingu, apo ishin përfshirë në ndonjë skandal të tillë. Grin, dy herë fitues i medaljes së artë në Olimpiada dhe pesë herë kampion bote, që tashmë është tërhequr nga sporti, nuk kishte rezultuar pozitiv asnjëherë në testet antidoping. Heredia, i cili është dëshmitari kryesor në çështjen kundër Trevor Graham - trajneri i Xhons, Grin dhe shumë sportistëve të tjerë - është i gatshëm të dëshmojë se Graham i siguronte stimulues atletëve elitarë dhe i këshillonte atyre që t‘i përdornin nëpër aktivitete. Hereida do të pohojë gjithashtu se ka qenë ai personi i cili ia siguronte substancat e ndaluara trajnerit Graham dhe sportistëve të tij, duke përfshirë këtu edhe ish-kampionen Merion Xhons. Dëshmitari kryesor në këtë hetim ka paraqitur edhe kopjen e një transaksioni bankar, ku vërtetohej se Moris Grin kishte transferuar 10 mijë dollarë në llogarinë e një kushëririt të tij. Gjithashtu Hereida tregoi një dokument me emrin dhe moshën e Grin, që përmbante testet e gjakut të zhvilluara në laborator dhe një mesazh në e-mail nga një mik i afërt i atletit ku shkruhej: "Engjëll, (këto janë) rezultatet e Moris, më vjen keq që u vonuan kaq shumë". Ndërkohë, Federata Ndërkombëtare e Atletikës (IAAF) dhe vetë Moris Grin kanë hedhur poshtë akuzat se sportisti ka përdorur substanca të ndaluara. Nik Deivis, zëdhënës i IAAF tha se kundër ish-kampionit Olimpik, që dikur ka mbajtur edhe rekordin botëror në 100 metra, nuk do të merret asnjë masë dhe se Grin do të vazhdojë të jetë ambasadori i vullnetit të mirë, për të promovuar sportin përpara fillimit të Olimpiadës, Pekin 2008.