Figo kundër Mançinit. Morati: Qëndro
Problemet brenda dhomave të zhveshjes tek Interi vazhdojnë. Krespo vazhdon të mos ketë besimin e trajnerit Mançini dhe duket i pakënaqur ("Çfarë mund të them...", deklarata pas ndeshjes me Fiorentinën), ndërsa Figo rrezikon të shndërrohet në problem madhor. Tri minuta lojë për portugezin dhe shumë zemërim. Ndërsa Mançini tenton të zbusë situatën me filozofi ("Kur hedh një lojtar në fushë nuk shoh krenarinë. Sportisti mund të jetë deciziv edhe në tri minuta"), ndërsa Figo është larguar nga stadiumi tejet i mërzitur: "Më mirë të mos flas", tha mesfushori. Në të gjithë këtë situatë ka tentuar të ndërhyjë presidenti Morati, që e ka konfirmuar portugezin edhe për sezonin tjetër. "Nëse Figo do të largohej, do të më mbetej qejfi, tha patroni zikaltër. Është një kampion i madh dhe na nevojitet edhe për vitin tjetër. I kemi propozuar edhe një vend si drejtues në klub, megjithatë besoj se Figo dëshiron që të luajë futboll të paktën edhe për një sezon".