"Nuk ndryshoj, trofetë do të vijnë"
Arsenali i talenteve të reja luan shumë mirë, përgëzohet nga e gjithë bota, por edhe në këtë sezon nuk arrin të fitojë asnjë trofe. Humbja përballë Mançester Junajted i ka nxjerrë "topçinjtë" virtualisht nga gara për titullin kampion. Pavarësisht situatës aspak të qetë, Arsen Venger nuk dorëzohet dhe është i bindur në projektin që ka nisur. Tekniku francez ka deklaruar: "Gjatë këtij sezoni kemi bërë një punë shumë të mirë dhe mund të them se jam i kënaqur nga skuadra. Megjithatë, nuk jam idealist dhe natyrshëm që dëshiroj të fitojmë trofe. Duke vazhduar në këtë rrugë, jam i bindur se titujt do të vijnë". Më tej, drejtuesi i stolit të Arsenalit shtoi se skuadra e tij nuk është më e dobët se rivalet: "Në këtë sezon, ndërmjet suksesit dhe dështimit qëndronte një vijë shumë e hollë. Duhet të pranojmë se nuk mund ta fitojmë titullin. E kemi shumë të rëndë ta pranojmë realitetin, pasi diferenca teknike që kemi me Mançesterin dhe Çelsin është e vogël".