E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deshton tryeza e partive politike per reformen zgjedhore

Dështon treyza e partive politike për reformën zgjedhore. Debatet dhe replikat e ashpra mes kryesocialistit Edi Rama me krerë të partive të vogla, kanë qenë shkaku i dështimit. Në një kohë kur të gjithë prisnin një reflektim mbi kërkesën kryesore, atë të korrektimit kombëtar të sistemit aktual zgjedhor, zoti Rama u bë shkaktar i prishjes së takimit, pasi replikoi me drejtuesit e dy partive të Ballit Kombëtar, Ardiatik Alimadhi dhe Artur Roshi. Në këtë moment nisi dhe vetë degjenerimi i këtij takimi, nga i cili paraprakisht mendohej të dilej me një deklaratë të përbashkët, që do t’i drejtohej komisionit të posaçëm parlamentar.

Por, ky nuk ishte i vetmi moment shkëmbimi replikash. Përsëri, kreu i Partisë Socialiste, u përball verbalisht me Paskal Milon, drejtues i Demokracisë Sociale.

Gjatë debateve, kryetari i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela duke argumentuar se takimi ishte i kotë, thkesoi se gjithçka mbetet në dorën e dy partive të mëdha.

Qëllimi i tryezës, ku morën pjesë 24 subjekte politike, ishte diskutimi mbi një paketë propozimesh, të cilat do të duhet të adresoheshin në komisionin e reformës zgjedhore. Krerët e partive të vogla, këmbëngulin në korrektimin kombëtar të sistemit zgjedhor, pasi sipas tyre, në këtë mënyrë do të garantohej barazia dhe leximi i drejtë i votës së qytetarëve. Përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Ilir Rusmali, shprehu gatishmërinë për diskutimin mbi çështjen e sistemit.

Diskutimet dhe qëndrimet e kundërta vijuan edhe pas përfundimit të takimit. Pritet që organizatorët e takimit t’u kërkojnë secilës parti nënshkrimin e propozimeve të parashtruara.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›